Skuadra angleze Chelsea ka vendosur të ndajë një pjesë të shpërblimeve nga triumfi në Kupën e Botës për Klube me familjen e sulmuesit të ndjerë të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, Andre Silva.
Klubi londinez u shpall kampion i turneut të zgjeruar të FIFA-s në korrik, pasi mposhti Paris Saint-Germain me rezultatin 3-0 në finalen e zhvilluar në MetLife Stadium, New Jersey. Ky sukses i solli klubit gati 100 milionë euro, raporton “The New York Times”.
Chelsea më pas ka ndarë një fond prej mbi 13 milionë eurove që do të shpërndahet në mënyrë të barabartë midis lojtarëve që përfaqësonin skuadrën e Enzo Marescas gjatë turneut, me një vendim të marrë bashkërisht midis klubit dhe lojtarëve që një pagesë e barabartë do t’i bëhet edhe familjes së Jotës.
Secila pjesë kap vlerën mbi 427 mijë euro.
Diogo Jota, sulmues i Liverpoolit, dhe vëllai i tij Andre Silva, lojtar i klubit portuguez Penafiel, humbën jetën në një aksident automobilistik në Zamora të Spanjës, më 3 korrik – vetëm 10 ditë para finales së Botërorit të Klubeve.
Liverpooli ka paralajmëruar disa homazhe në kujtim të Jotas, përfshirë një skulpturë përkujtimore në “Anfield”, vendosjen e emblemës “Forever 20” në fanella gjatë sezonit 2025-26, si dhe nisjen e një programi futbolli për të rinjtë në emër të tij. Po ashtu, në ndeshjen hapëse të sezonit kundër Bournemouth këtë të premte, do të mbahet një minutë heshtje dhe do të krijohet një mozaik special nga tifozët.
Muajin e kaluar, Liverpooli njoftoi se fanella me numrin 20 do të tërhiqet përgjithmonë nga qarkullimi në të gjitha nivelet e klubit, në nder të Jotas, i cili u bashkua me “The Reds” në vitin 2020 nga Wolverhampton Wanderers. /Klankosova.tv