Chelsea raportohet se ka arritur marrëveshje për ta ndërprerë para kohe huazimin e Facundo Buonanotte në “Stamford Bridge”, me mesfushorin e Brightonit që pritet ta kalojë gjysmën e dytë të sezonit te Leeds United.
Buonanotte iu bashkua Chelseat në formë huazimi njësezonal në ditën e fundit të afatit veror të transferimeve, me drejtuesit e klubit londinez që e shihnin argjentinasin si mbulim të përshtatshëm për Cole Palmer dhe si përforcimin e fundit ofensiv pas largimit të Nicolas Jackson te Bayern Munich.
Ky transferim u prit me habi të madhe nga shumë tifozë të Chelseat, duke pasur parasysh faktin se Buonanotte kishte rënë nga Liga Premier një sezon më parë gjatë huazimit të tij te Ipswich Town.
Dyshimet e tifozëve u vërtetuan shpejt. Buonanotte regjistroi vetëm një paraqitje në Liga Premier, në fillim të shtatorit, ndërsa u ul në bankën rezervë edhe në katër ndeshje të tjera. Në pjesën më të madhe të kohës, ai u detyrua të kënaqej me paraqitje në garat e kupave, edhe pse Palmer, lojtari që duhej ta zëvendësonte, ka vetëm nëntë ndeshje si titullar në Liga Premier këtë sezon.
Gazetari Fabrizio Romano bëri të ditur se Chelsea ka rënë dakord ta ndërpresë huazimin e Buonanottes, me Leeds United, që aktualisht ndodhet në vendin e 16-të, duke e marrë atë deri në fund të sezonit.
E ardhmja e Buonanottes në “Stamford Bridge” dukej e errët pothuajse menjëherë pas transferimit. Ai kishte deklaruar se futbolli në Ligën e Kampionëve të Evropës ishte arsyeja kryesore pse kishte zgjedhur Chelsean, por vetëm disa ditë më vonë u la jashtë listës së klubit për këtë kompeticion. Vetëm një lëndimi i Dário Essugo i hapi rrugë rikthimit të tij në skuadër.
Vendimi për ta ndërprerë huazimin ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë ndaj pronësisë dhe drejtuesve sportivë të Chelseat, me kritika të shumta që lidhen me mënyrën e diskutueshme të menaxhimit të transferimeve.







