Home Lajme Çfarë zgjidhjesh për rrymën po premtojnë partitë në fushatë?

Çfarë zgjidhjesh për rrymën po premtojnë partitë në fushatë?

0
Çfarë zgjidhjesh për rrymën po premtojnë partitë në fushatë?

Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, shumë qytete të Kosovës u përballën me ndërprerje të energjisë elektrike. Në disa prej tyre, ky problem zgjati me ditë. Arsyetimi i institucioneve ishte mbingarkesa në rrjetin energjetik.

Tani, ndërkohë që fushata zgjedhore po vazhdon, partitë politike po premtojnë rregullimin e këtij problem, për të pasur furnizim të plotë me rrymë.

Termocentral me gaz, termocentral me thëngjill e hidrocentrale janë disa nga zgjidhjet që po i përmendin katër kandidatët për kryeministër.

“Do ta krijojmë një institucion, një agjencion one-stop-shop ku të gjithë të interesuarit për të investuar në sektorin e energjisë do të pajisen me leje dhe dokumentacion”, ka thënë Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga PDK.

“Ne do të ndërtojmë centralin e ri me gaz në Ferizaj. 500 milionë euro investim për centralin me gaz amerikan”, ka premtuar Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër nga LDK.

“Po ta kishim ndërtuar ne një 500-megavatësh me qymyr, unë s’jam për energji me qymyr se e di që ka ndotje, ama mos harroni teknologjia e re sot nuk ndotë, besoni e ka 1 për qind emetim”, ka premtuar Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK.

Për dallim nga Hamza, Abdixhiku dhe Haradinaj, kryeministri aktual dhe kandidat për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në fjalimet e tij gjatë fushatës nuk ka folur shumë për fushën e energjisë.

Në disa raste ka përmendur një park energjetik për Vushtrrinë dhe vënien në funksion të një sistemi të baterive.

“Kosova do të ketë një miks të energjisë, që bazohet në burime vendore dhe gjithnjë e më shumë në burime të pastra të ripërtërishme nga era dhe dielli”, ka thënë Kurti.

Qeveria e drejtuar nga Kurti së fundi ka shpallur projektin në vlerë të 137 miliionë eurove për rehabilitimin e njësisë 3A të Termocentralit Kosova A. Disa prej këtyre planeve bien ndesh me objektivat e Bashkimit Evropian që deri në vitin 2050 vendet që synojnë anëtarësimin duhet të kenë zero emetim të dioksidit të karbonit.

Sipas organizatës mjedisore Bankwatch Network me seli në Pragë të Çekisë, prodhimi i energjisë elektrike në një central me gaz siç planifikojnë PDK-ja dhe LDK-ja nuk është zgjidhje e duhur për Kosovën.

“Gazi është shumë-shumë i shtrenjtë për t’u përdorur për energjinë bazë veçanërisht, sepse do të ketë gjithnjë e më shumë energji diellore dhe të erës, të cilat kanë kosto operimi jashtëzakonisht të ulët. Edhe nëse termocentrali me gaz ndërtohet, përdorimi i tij do të jetë jashtëzakonisht i shtrenjtë, sepse gazi që do të marrim tani, nuk do të jetë i lirë si gazi rus. Gazi amerikan është gaz i lëngshëm, i cili duhet të përpunohet”, ka thënë  Pippa Gallop nga Bankëatch Netëork.

Përveç se i kushtueshëm, ndërtimi i një centrali me gaz parashihet të zgjas deri në 10 vjet dhe konsiderohet shumë e vonë si ide, bazuar në politikat klimatike të Bashkimit Evropian.

“Kur njerëzit në Ballkanin Perëndimor mendojnë për lëndët djegëse fosile, ato zakonisht mendojnë për qymyrin por gazi është gjithashtu një lëndë djegëse fosile që lëshon dioksid karboni në atmosferë dhe kjo do të thotë se si pjesë e objektivave klimatike të BE-së, gazi do të duhet të hiqet gradualisht. Dhe, kjo duhet të ndodhë më së voni deri në vitin 2050. Pra, kushdo që tani po propozon të fillojë të ndërtojë termocentrale me gaz, ka ardhur me të vërtetë 20 vjet me vonesë në histori”, ka shtuar Gallop.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti refuzoi ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit me arsyetimin se ka një kosto të lartë prej rreth 600 milionë eurosh, ndërkohë që Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC ishte zotuar për një grant prej 200 milionë eurosh.

Në programet e tyre zgjedhore, partitë politike i shpjegojnë më në detaje planet për prodhimin e energjisë.

Vetëvendosje në një pjesë të programit të saj, përveç modernizimit të termocentralit Kosova B, përmend edhe ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta më Shqipërinë, si dhe investime të tjera në energji të ripërtërishme.

PDK-ja fokusohet për prodhimin e energjisë elektrike nga një termocentral me gaz dhe investime në hidrocentrale. Kosova që ka resurse të pakta ujore, ka një përvojë jo aq të mirë të ndërtimit të hidrocentraleve për shkak të degradimit të lumenjve.

Pavarësisht kundërshtimit të banorëve të Deçanit dhe Shtërpcës, në rrjedhën e Lumbardhit dhe Lepencit u ndërtuan hidrocentrale që shkaktuan dëme të shumta në mjedis.

LDK-ja në programin e saj parasheh ndërtimin e centralit me gaz I cili do të pasonte mbylljen e termocentralit Kosova A. Por, centralet me gaz përveçse kanë kosto të lartë të ndërtimit, kanë kosto të lartë të mirëmbajtjes dhe në rastet kur çmimi i I gazit rritet, rritet edhe kostoja e prodhimit të energjisë elektrike.

LDK-ja dhe PDK-ja ofrojnë edhe alternativa të tjera të prodhimit të energjisë së ripërtërishme për të zëvëndësuar prodhimin e rrymës nga djegia e thëngjillit.

AAK-ja është e vetmja që premton ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill krahas idesë për ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit.

Aktualisht, Kosova i ka dy termocentrale me thëngjill, të cilat prodhojnë mbi 90 për qind të energjisë elektrike.

Në 25 vjetët e ardhshme Kosova synon dekarbonizimin bazuar në Marrëveshjen e Gjelbër për Ballkanin e nënshkruan në Samitin e Sofjës. Kurse janë aktive dy parqe të energjisë me erë, në Bajgorë të Mitrovicës së Jugut dhe në Kitkë të Kamenicës.  Së fundi, pati një fitues nga ankandi I parë solar.

Organizata Bankëatch Netëork thotë se Kosova duhet sa më shpejtë të fillojë prodhimin e energjisë nga dielli dhe era.

“Kosova duhet të përshpejtojë procesin e instalimit të energjisë diellore dhe asaj të erës – në të ardhmën këto burime do të përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit aktual të energjisë. Kjo mund të duket e pabesueshme për një vend që aktualisht varet deri në 90 për qind nga qymyri, por kjo është ajo që po ndodh në mbarë Evropën me energjinë diellore dhe atë të erës”, ka thënë  Pippa Gallop nga Bankëatch Netëork.

Jo vetëm Kosova por edhe vende të tjera të botës u përballen më pasiguri energjetike në vitin 2022 kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Lufta shkaktoi pasiguri në furnizim me gaz dhe rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kosova e kaloi pa shumë pasoja këtë krizë, porn ë fund të vitit të kaluar qytete e fshatra u përballën me mungesë të theksuar të rrymës.

Qeveria insistoi se nuk pati mungesë të energjisë por tha se ndër vite është rritur konsumi, dhe si pasojë rrjeti elektrik nuk e përballoi mbingarkesën.

Derisa, Strategjia e Energjisë e Kosovës për periudhën 2022-2031 parasheh një tranzicion gradual drejt reduktimit të varësisë nga termocentralet me bazë qymyrin, si dhe mbylljen e Kosovës A deri në vitin 2028.

Por, zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë përcaktuese në atë se si Kosova do ta zhvillojë fushën e energjisë. REL

Exit mobile version