Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për vlerësim, shkruan Periskopi.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese përmendet edhe paga për veteranët e UÇK-së.
Sipas vendimit të publikuar thuhet se Gjykata ka vendosur që ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.
“Në kontekst të kategorisë së veteranëve të UÇK-së, dhe duke analizuar ndryshimet dhe plotësimet e ligjit përkatës të aplikueshëm ndër vite, Aktgjykimi sqaron që ndërlidhja e lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me lartësinë e pagës minimale në Republikën e Kosovës, nuk është ndryshuar përmes Ligjit të kontestuar, por që në vitin 2017, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të Veteranëve, përkatësisht Ligjit nr.05/L -141 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky ligj, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, që në vitin 2017 (i) ka eliminuar nenin 18 (Lartësia e shumës së pensioneve) të ligjit bazik, përkatësisht dispozitën që ka saktësuar se varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti, për vitin e ardhshëm, Qeveria me propozimin e Ministrisë së Financave, mund të vendosë për lartësinë e shumës së pensionit të veteranit të UÇK-së, me kushtin që ky pension “nuk mund të jetë më i vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”; ndërsa, (ii) i ka shtuar ligjit bazik nenin 16A (pa titull), i cili ndër tjerash, ka përcaktuar kategorizimin e veteranit të UÇK-së në përputhje me kohën e mobilizimit dhe shërbimit në UÇK, duke saktësuar lartësinë e pensionit mujor për secilën kategori dhe duke e kufizuar lartësinë e përgjithshme të pagesave për pensionet e veteranëve të UÇK-së në kufirin e 0.7% (zero pikë shtatë përqind) të Bruto Prodhimit Vendor në vit”.
Vendimin e plotë mund ta gjeni në këtë link: https://gjk-ks.org/njoftim-per-vendim-ne-rastin-ko158-23/