![Çfarë tha Netanyahu në postimin që e fshiu më pas, ku fajësoi inteligjencën izraelite për sulmin e Hamasit? Çfarë tha Netanyahu në postimin që e fshiu më pas, ku fajësoi inteligjencën izraelite për sulmin e Hamasit?](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/10/netanyahu.webp)
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërkoi falje të dielën dhe fshiu një postim në të cilin kërkonte të fajësonte zyrtarët e sigurisë për sulmin e papritur të 7 tetorit nga Hamasi.
“Kam gabuar. Gjërat që thashë pas konferencës për shtyp nuk duhet të ishin thënë dhe unë kërkoj falje për këtë”, ka thënë Netanyahu në X.
Ai u dha “mbështetje të plotë” krerëve të shërbimeve të sigurisë dhe atyre që luftojnë në vijën e parë të frontit. Së bashku do të fitojmë”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, bëhet fjalë për një postim të shtunën vonë, përmes të cilit kryeministri pretendoi se nuk ishte paralajmëruar nga shefat e sigurisë për një sulm të afërt të Hamasit.
“… Në asnjë rrethanë dhe në asnjë fazë nuk u paralajmërua kryeministri Netanyahu për qëllimet e luftës të Hamasit”, lexohej në postimin origjinal në Twitter, i postuar pak pas orës 1 të mëngjesit me orën lokale.
“Përkundrazi, të gjithë zyrtarët e mbrojtjes, duke përfshirë krerët e Drejtorisë së Inteligjencës dhe Shin Bet, vlerësuan se Hamasi ishte i frenuar. Ky ishte vlerësimi i dorëzuar herë pas here kryeministrit dhe kabinetit nga të gjitha subjektet e mbrojtjes dhe komunitetet e inteligjencës deri në shpërthimin e luftës”, përfundonte deklarata e fshirë.