Në lidhje me këtë akuzë kanë reaguar edhe eksponentë të ndryshëm të PDK-së, por edhe analistë të ndryshëm. Çka tha PDK-ja?
Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK, Abelard Tahiri, ishte një ndër eksponentët më të rëndësishëm të kësaj partie që reagoi për këtë temë. Në një postim në Facebook, Tahiri ka bërë thirrje me urgjencë që Prokuroria Speciale e Kosovës të hetojë të vërtetën e këtyre pretendimeve.
“Për me tepër, për ta ushtruar korrupsionin e hajninë pa pengesë, paskan porositur edhe zhdukjen e një politikani të PDK-së. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me urgjencë duhet të veprojë për ta zbardhur të vërtetën e këtyre pretendimeve, sepse ato nuk përfaqësojnë më vetëm korrupsionin enorm në të cilin është zhytur Zdravo qeveria, por edhe rrezikun që i kanoset lirisë, demokracisë e kombit tonë nga mentaliteti zhvatës e shkatërrimtar i Albin Kurtit me shokë.” – shkroi ai.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha e komentoi intervistën e Gjinajt për Nacionalen, duke theksuar se kërkesa për dëshmitarët kundër Thaçit janë turp i Zotit.
“”Bukë e zemër” për qytetarët, armë ilegale për Ukrainën e pare të majme për Albin Kurtin e haverat e tij.
Çfarë skemash!…
Shteti i së drejtës…që kërkon të prodhoj dëshmitar të paqenë për me i mbajt në burg akterët e UÇK-së në emër të “drejtësisë” . Turpi i zotit.
Thjeshtë po tmerrohem çfarë mendje të kalbura duhet të jeni për me shku kaq larg.” – shkroi Hoxha.
Ndërsa Sipas Milazim Krasniqit, analist dhe profesor universitar, një dëshmi e tillë, është alarmante.
Tutje, Krasniqi vlerëson se nëse një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë VV-ja ka ardh në pushtet për ta ndihmuar Gjykatën Speciale.
“Dëshmia e Ndue Gjinajt dhënë Berat Buzhalës se Ridvan Muharremi i ka kërkuar katër dëshmitarë katolikë kundër Hashim Thaçit është alarmante. Nëse kjo del e vërtetë, i bie se në Kosovë ka një organizatë të strukturuar tradhtarësh dhe e dyta se LVV ka ardhë në pushtet për ta ndihmuar Gjykatën Speciale. Definitivisht, Kosova ka një problem me veten.” – shkroi ai.
Ndryshe, Gjinaj, në intervistën për Nacionalen, rrëfeu se si, sipas tij, Muharremi i kishte kërkuar të gjente dëshmitarë kundër Thaçit në Hagë.
“Kur kemi qenë në Shqipëri, Ridi një temë shpesh ma ka përmend. Më thojke ju besimtarë katolikë jeni më besnikë…Por, unë e kuptova vonë pse e thoshte”, nis e shtjellon Gjinaj. “Më tha: a mundesh me i marrë do dëshmitarë katolikë, tha se prokuroria dhe shteti i Evropës dhe bota ju beson më shumë katolikëve…Më tha, që unë me marrë dëshmitarë katolikë kundër Hashim Thaçit”, ka treguar ai, ndërsa ka shtuar se atij i kishte thënë që “kush del kundër Thaçit është tradhtar”.