7.2 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Çfarë saktësisht janë armët bërthamore taktike?

- Advertisement -

Aluzioni i presidentit rus, Vladimir Putin, nuk ishte preciz.

“Kur integriteti territorial i vendit tonë të kërcënohet, ne sigurisht se do t’i përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë”, tha Putin më 21 shtator.

“Ky nuk është mashtrim”, tha ai, duke dhënë urdhër edhe për mobilizimin e qindra mijëra burrave rusë për luftën në Ukrainë.

Me “të gjitha mjetet në dispozicion”, Putin natyrisht se iu referua arsenalit bërthamor të Rusisë.

Sikur ai i Shteteve të Bashkuara, ky arsenal është njëri nga dy më të mëdhenjtë në botë.

Por, aluzioni la shumë vend për interpretim dhe bëri që agjencitë e inteligjencës nga Uashingtoni, Londra e Berlini të përpiqen të kuptojnë se çfarë saktësisht do të thotë.

Zyrtarët amerikanë thonë vazhdimisht se Rusia nuk ka bërë asnjë hap, që do t’i shtynte zyrtarët e SHBA-së apo NATO-s të “ndryshojnë qëndrimin”, përkatësisht t’i urdhërojnë forcat ushtarake të vihen në gatishmëri më të lartë.

Më 30 shtator, gjatë një fjalimi për gjoja aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, Putin tha se Rusia do ta mbrojë territorin e saj “me të gjitha forcat dhe burimet” që ka. Ai, po ashtu, iu referua bombardimeve bërthamore të Japonisë nga SHBA-ja, më 1945, duke i cilësuar si “precedent”.

Ka pak indikacione se Putin është i përgatitur për të sulmuar kryeqytete perëndimore me raketa strategjike me rreze të gjatë, të llojit që do të çonte në luftë të plotë termonukleare. Por, ka mundësi të tjera: koka bërthamore më të vogla, më të lëvizshme, jostrategjike, të njohura si armë taktike.

Strategjike vs. taktike

Traktati START-i i Ri, në fuqi nga viti 2011, është i fundit në serinë e marrëveshjeve për kontrollin e armëve, që kufizon sasinë dhe pozicionimin e armëve strategjike, si për Rusinë, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, si Moska, ashtu edhe Uashingtoni kanë më pak se numrin e lejuar të kokave të dislokuara: 1.550.

Por, START-i i Ri kufizon vetëm armët bërthamore strategjike, jo ato taktike.

Të njohura gjithashtu si armë jostrategjike, armët bërthamore taktike janë më të vogla – si në madhësi, ashtu edhe në fuqinë shpërthyese – të dizajnuara për përdorim në një fushëbetejë ose në një hapësirë operacionesh, thotë Pavel Podvig, ekspert për arsenalin bërthamor të Rusisë, i cili punon edhe për Institutin e Kombeve të Bashkuara për Kërkime në Çarmatim.

“Termi është problematik, sepse, në realitet, çdo përdorim i armëve bërthamore do të jetë strategjik – do të ndryshojë (dhe synimi do të jetë të ndryshojë) rezultatin e konfliktit”, thotë Podvig në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

“Edhe nëse ato përdoren në fushëbetejë (gjë që nuk ka gjasa të ndryshojë asgjë atje), mesazh kryesor i një hapi të tillë do të jetë se Rusia është e gatshme t’i përdorë ato më gjerësisht dhe përfundimisht do të jetë e gatshme t’i përdorë kundër popullatës”, shton ai.

Armët taktike – bomba, predha artilerie, raketa me rreze të shkurtër veprimi – janë krijuar për të pasur më pak fuqi shpërthyese sesa raketat më të mëdha strategjike.

Këto armë janë gjithashtu më të vogla në përmasa dhe nuk janë të dizajnuara për të arritur distanca të gjata. Nëse është e vendosur në një raketë, mund të mos shkojë më shumë se 500 kilometra.

Kjo do të thotë se inteligjenca – satelitët, sensorët e fuqishëm, apo edhe spiunët me dylbi – e ka vështirë t’i dallojë. Kjo, po ashtu, do të thotë se është më e vështirë edhe për një kundërshtar që të përgatitet ose të mbrohet.

Për këtë arsye, shumë ekspertë i konsiderojnë këto armë si më destabilizuese dhe potencialisht më të rrezikshme.

Kush i ka ato?

Si Bashkimi Sovjetik, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan armë të vogla bërthamore në ditët më të errëta të Luftës së Ftohtë.

Bashkimi Sovjetik dhe partnerët e tij në Traktatin e Varshavës kishin shumë më tepër tanke dhe këmbësori sesa NATO-ja, dhe përdorimi i armëve bërthamore taktike ishte një element kyç i planeve të NATO-s për të frenuar një ofensivë të Traktatit të Varshavës në Evropën Perëndimore.

Nga ajo kohë, megjithatë, Shtetet e Bashkuara ndaluan së mbështeturi në armët taktike. Planifikuesit ushtarakë mbështeten tani në armatim më të saktë, për t’i përmbushur të njëjtat qëllime. Eksplozivët e sofistikuar konvencionalë mund të grumbullohen në një sasi të madhe sa një kokë bërthamore.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë rreth 200 armë taktike – gjysma e të cilave janë bomba të gravitetit bërthamor B61 – lloji që thjesht e hidhni nga një aeroplan dhe më pas e drejtonit drejt objektivit. Ato janë të vendosura në Gjermani dhe vende të tjera aleate të NATO-s, përfshirë Turqinë.

Nën presidentin Donald Trump, zyrtarët amerikanë kërkuan zhvillimin e armëve të reja jostrategjike me rreze më të shkurtër dhe me rendiment më të ulët, por këto plane janë në zhvillim e sipër.

Rusia, ndërkohë, vlerësohet të ketë rreth 1.500 deri në 2.000 koka luftarake taktike, përfshirë bomba të gravitetit, raketa ajër-tokë, raketa kundër anijeve dhe raketa lundruese. Sipas Buletinit të Shkencëtarëve Atomikë, shumica, nëse jo të gjitha, mbahen në depo.

Në luftën e saj kundër Ukrainës, Rusia ka lëshuar raketa lundruese nga nëndetëset dhe avionët, si dhe ka përdorur një sistem raketash balistike me rreze të shkurtër, të njohur si Iskander.

Si Rusia, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë koka jo të dislokuara – kryesisht në depo. Kjo do të thotë se do të duhet kohë për t’i nxjerrë ato jashtë, për t’i vendosur në ndonjë lëshues dhe për t’i hedhur.

“Ato, në fakt, janë larg përdorimit; do të duheshin një sërë hapash për t’i pozicionuar ato”, thotë Podvig.

A janë përdorur ndonjëherë?

Asnjë armë bërthamore taktike, jostrategjike, nuk është përdorur në ndonjë konflikt.

Çfarë efekti do të kishte një shpërthim bërthamor taktik?

Kjo varet nga ajo se për çfarë përdoret arma taktike, ku dhe si.

Vrasja e qindra trupave ukrainase në fushëbetejë me armë bërthamore do të shkaktonte zemërim, ndryshe nga efekti tronditës dhe frikësues i shpërthimit të një koke luftarake mbi Detin e Zi ose Detin Barents.

Është një pyetje e hapur nëse opsioni i parë do t’i shtynte ukrainasit t’i pranonin negociatat për paqe.

Shpërthimi do të thyente tabunë për përdorimin e armëve bërthamore – tabunë që ekziston prej se SHBA-ja bombardoi Hiroshimën dhe Nagasakin në vitin 1945.

Gjithashtu, do ta izolonte Rusinë nga partnerët e saj të vakët, si Kina – një fuqi bërthamore më vete.

“Duhet kuptuar se përdorimi i një arme bërthamore taktike nuk do të garantonte pikë kthese në favorin e dikujt”, shkroi Andrei Kortunov, drejtor i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare të Rusisë, në një artikull të botuar në të përditshmen ruse, Kommersant.

Sipas tij, ajo që do të garantonte, “është rreziku i një lufte bërthamore në shkallë të plotë”./REL/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit