Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit iranian më 12 mars, Udhëheqësi i ri Suprem Mojtaba Khamenei u zotua të “hakmerret për gjakun e martirëve” dhe ta mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, mesazhi nuk u dha prej tij, por u lexua në televizionin shtetëror nga një prezantuese, duke nxitur pyetje në lidhje me gjendjen e tij.
Që atëherë, pasiguria rreth vendndodhjes dhe gjendjes së tij të vërtetë shëndetësore është intensifikuar. 56-vjeçari nuk është shfaqur në publik dhe nuk janë publikuar video ose regjistrime audio të reja të zërit të tij. Imazhet që publikohen shpesh tregojnë skena të inskenuara ose edhe të krijuara artificialisht, gjë që përforcon thashethemet.
Sipas një analize nga Wall Street Journal, por edhe ekspertëve shumë foto të udhëheqësit të ri suprem duket se janë krijuar ose modifikuar me inteligjencë artificiale.
Këto përfshijnë foton e profilit në llogarinë e tij të re X, e cila bazohet në një foto më të vjetër që është modifikuar duke përdorur mjetet e inteligjencës artificiale.
Në të njëjtën kohë, disa ambasada iraniane nuk kanë postuar ende portrete të tij, edhe pse imazhet e udhëheqësit suprem zakonisht zbukurojnë hapësirat publike dhe zyrat qeveritare.
Qeveria iraniane pohon se Khamenei është gjallë dhe i kryen detyrat e tij normalisht. Megjithatë, pyetjet po intensifikohen brenda vendit: a është i plagosur? A është në një gjendje që të sundojë? Dhe, akoma më thjesht: a është gjallë?
Plagosja në sulmin izraelit dhe humbjet e familjes
Mojtaba Khamenei mori udhëheqjen pas vdekjes së babait të tij, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra ditën e parë të luftës në një sulm ajror izraelit në kompleksin e tij rezidencial. Anëtarët e familjes, përfshirë gruan, motrën dhe nipin e tij, u vranë gjithashtu në sulm.
Sipas zyrtarëve nga Irani, Izraeli, SHBA-ja dhe vendet evropiane, ai u plagos në sulm, por mbetet e paqartë se sa serioz është lëndimi.
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, tha se Khamenei është plagosur rëndë, gjë që sipas saj ka shkaktuar trazira brenda udhëheqjes iraniane.
Dy zyrtarë iranianë kanë thënë privatisht se udhëheqësi është plagosur, por kanë mohuar se ai është i paaftë për të kryer detyrat e tij, duke pretenduar se ai mbetet në një vend të fshehur për arsye sigurie.






