28.7 C
New York
Tuesday, July 22, 2025

Buy now

Çfarë pamë sot në Kuvend dhe ku dëshiron të na shpie Kurti?!

- Advertisement -

Shkruan: Blerim Canaj

Pamë një skenë politike të kalbur nga frika, inati dhe llogaritjet e ulëta. Hera e pesëdhjetë duket më interesante, jo pse solli diçka të re por sepse ekspozoi edhe më qartë dobësinë dhe hipokrizinë e partive tona.
Dikush nga PDK thotë se PDK nuk ka qëndrim për kandidaturën e Fatmir Limajt. Një tjetër nga po ajo parti deklaron se nuk votojnë askënd që ka qenë ministër. Ka deputetë nga PDK që janë deklaruar që do e votojnë. Cila është e vërteta? Ka një të vetme: mungon guximi për të dalë qartë dhe drejt. Partia që dikur udhëhiqte betejat politike dhe i dilte përballë çdo vendimi historik, sot fshihet pas deklaratave të mjegullta, sepse është e përçarë mes fraksioneve që luftojnë për interesa personale, jo për drejtim vizionar. E kemi parë që kur dikush brenda tyre ka ide vizionare me takt politik ata frikësohen dhe e luftojnë!
AAK? Thotë se nuk e voton Limajn. Dihet qartazi që ajo këtë e bën jo për parime, por për inat. Po a udhëhiqet shteti me inat?!
LDK? E mban “qartë” qëndrimin, por e dimë: as aty nuk ka më vizion, vetëm frikë nga hapat që kërkojnë përgjegjësi.
Dhe tani le të jemi të drejtë: sot si duket asnjë nga partitë opozitare nuk ka guxim. Nuk ka dije. Nuk ka vetëdije shtetërore! Kanë humbur drejtimin! Janë të zënë mes vete publikisht dhe kanë harruar thelbësoren: Baballarët e lirisë dhe të shtetit gjenden sot diku larg, duke e vazhduar një betejë të lënë të vetëm, një betejë që nuk është e tyre por e jona.
E ku janë sot partitë që ata i përfaqësonin dikur? Të zhytura në heshtje të turpshme. Asnjë zë për padrejtësitë që po ndodhin në Hagë. Asnjë reagim kur mocionet refuzohen. Politikanë që pretendojnë të bëjnë politikë me statuse në rrjete sociale. E në fakt ata heshtin sepse nuk dinë dhe nuk guxojnë të japin drejtim. Heshtin sepse mendojnë për karrige, për renditje në lista, për pazar pushteti. Heshtin sepse nuk kanë dije, forcë e guxim që të orientojnë masën por bëhen pjesë e masës! E kjo ua garanton humbjet edhe më tutje!
E ndërkohë, Albin Kurti e luan lojën e tij, i qetë dhe i pakundërshtuar.
Kurti nuk e pranon Limajn në post të rëndësishëm jo vetëm për arsye politike, por sepse Limaj rrjedh nga UÇK. Këtë e dimë të gjithë. Urrejtja për çlirimtarët brenda atij ekipi është e vjetër, e thellë dhe e organizuar. Dhe kjo përputhet për mrekulli me heshtjen e të tjerëve.

Së dyti: Kurti nuk e do një parlament funksional dhe një qeveri funksionale tani, sepse pa qeveri, Gjykata Speciale ka duart e lira. Dhe kjo i konvenon. Sepse kështu, dëshmitë e rrejshme shkojnë ku duhet. Sepse kështu, historia që e do ai, bëhet versioni zyrtar i së vërtetës.
Dhe ndërkohë Kurti është në fushatë. Çdo veprim i tij, sikur urat në veri, është pjesë e kalkulimit për zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk i intereson as shteti, as veriu, as zgjidhjet. E vetmja gjë që i intereson është momenti: të fitojë pa e përballuar pasojën e katër viteve me zero rezultate.
Sepse nëse zgjedhjet komunale ndodhin para atyre nacionale, dhe serbët dalin në zgjedhje dhe i fitojnë komunat në veri, atëherë gjithçka bie në pikën zero, bie propaganda që në veri nuk ka pasur sovranitet dhe vetëm Kurti e ka sjellur atë. Populizmit i bie maska. Dhe ai e di këtë. Prandaj nxit krizë, bllokon qeverinë, krijon kaos.
Por ajo që dhemb më shumë është se opozita ka rënë në grackën e tij, nga mosdija, nga kalkulimet personale e që na shtie të bindemi që ka mungesë karakteri. Ata po lejojnë që Kurti të luajë i vetëm në fushë. Po zihen për kandidatura, për ego, për karrige, ndërsa burrat që ndërtuan këtë vend janë në betejë të heshtur, të vetmuar, pa mbështetje.
Sot u pa që nuk kemi vetëm krizë politike e krizë shtetërore. Sot kemi krizë morali. Dhe kjo është më e rënda që mund t’i ndodhë një vendi.

#KrizëMorali #LiriPaMbështetje #OpozitëPaGuxim #KalkulimJoShtet #BurratEKombitTëHarruar #KushETradhtonLirinë #JoPopulizmit #UÇKMeKrenari #HeshtjaQëVret #KosovaNëRrezik

Të ngjashme

Të fundit