“El Clásico” mes Real Madridit dhe Barcelonës përfundoi me tensione të larta në “Santiago Bernabeu”, pasi pas fishkëllimës përfundimtare shpërtheu një përleshje mes lojtarëve të të dyja skuadrave.
Sipas raportimeve nga DAZN dhe mediat spanjolle, gjithçka nisi kur Dani Carvajal, kapiteni i Real Madridit, u drejtua menjëherë drejt Lamine Yamal për ta qortuar pas deklaratave që lojtari i Barcelonës kishte bërë para ndeshjes, lidhur me ankesat dhe rastet e diskutueshme të madrilenëve.
Carvajal, që është edhe bashkëlojtar me Laminen në Kombëtaren e Spanjës, që këtë herë harroi lidhjen ndërkombëtare dhe shkoi drejtpërdrejt ta përballej me të, duke i bërë një gjest me dorën e djathtë që “të fliste”.
Në këtë moment, në skenë u përfshinë edhe Thibaut Courtois dhe Vinicius Junior, të cilët iu bashkuan mbrojtësit për ta konfrontuar lojtarin e Barcelonës. Reagimi i tyre bëri që disa lojtarë të Barçës të ndërhynin menjëherë për ta mbrojtur shokun e skuadrës, dhe situata kaloi në shtytje dhe britma mes të dyja palëve.
Edhe pse përleshja nuk u përshkallëzua në dhunë fizike, pamjet nga DAZN tregojnë qartë momentet e tensionit, me lojtarë që tregonin me gisht drejt njëri-tjetrit dhe përpiqeshin të ndanin grupet.
Kur situata dukej se po qetësohej, Vinicius u pa sërish duke i bërtitur nga larg Lamine Yamalit, çka ndezi një tjetër përplasje të vogël.
Yamal pastaj u thotë eja brenda lojtarëve të Real Madridi, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar.
Kësaj here u përfshinë edhe lojtarë që nuk ishin në fushë, si Rüdiger, Alaba dhe Raphinha, të cilët u përpoqën të ndanin shokët e tyre.
Incidenti i pas-ndeshjes pritet të jetë pjesë e raportit zyrtar të gjyqtarëve, ndërsa federata spanjolle e futbollit pritet të analizojë sjelljen e lojtarëve të përfshirë në këtë episod të nxehtë të “El Clásico”. /Telegrafi/








