15.7 C
New York
Wednesday, November 5, 2025

Buy now

Çfarë masash kërkoi SHBA-ja për dëshminë e Wesley Clark?

- Advertisement -

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat kanë autorizuar Wesley Clark që të dëshmojë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kanë kërkuar masa që parashihen sipas Rregullës 107, konkretisht autorizimeve të ofruesit të informacionit.

Pra, sipas vendimit të trupit gjykues, për aprovimin e këtyre masave dhe lejimin e mbrojtjes që dëshmia e Clark të shtohet në listën e provave, thuhet se ato i ka kushtëzuar ofruesi i informacionit e që është institucioni ku më parë ka punuar Clark. Këto masa nuk ishin kundërshtuar nga palët, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmia e Clark është e kufizuar në tema të përcaktuara- si përfshirja e tij në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.

Do të fokusohet vetëm në përfshirjen dhe vëzhgimet e tij në Konferencën e Rambujesë, pasojat e saj dhe rolet e UÇK-së.

Po ashtu, ai do të flasë për rolin e Thaçit për demilitarizimin e UÇK-së pas luftës si dhe bisedat e takimet që kanë pasur së bashku me tani të akuzuarin.

Veç kësaj, Clark do të flasë edhe për njohuritë e tij për strukturën dhe organizimin e UÇK-së, vëzhgimet e tij mbi nivelin e kontrollit të Thaçit mbi UÇK-në dhe për përshtypjet e tij për zinxhirin komandues të UÇK-së.

Në këtë linjë, Clark do të flasë edhe për aktet e dhunës brenda Kosovës nga forcat serbe dhe shqiptarët e Kosovës, si dhe pikëpamjet e tij mbi aftësinë e UÇK-së, komandantëve të saj, si dhe Thaçin për të parandaluar dhe kontrolluar aktet e dhunës.

Si masë e parë, është vendosur që kundërpyetjet të jenë të kufizuara vetëm në pyetjen kryesore si dhe në çështje që lidhen me besueshmërinë e dëshmitarit.

Si masë e dytë, është vendosur që dëshmitari mund të refuzojë të përgjigjet në pyetje të cilat kanë përgjigje konfidenciale.

E po ashtu, si masë e tretë është vendosur që përfaqësuesit e dhënësit të informacionit të jenë të pranishëm gjatë dëshmisë së Clark.

Ndërsa, si masë e katërt është thënë se dëshmitari nuk është autorizuar që të dëshmojë për ndonjë çështje tjetër përveç asaj që është thënë më sipër.

Trupi gjykues kishte thënë se në rast që dëshmitari refuzon që të mos përgjigjet për shkak të konfidencialitetit, trupi gjykues duke u bazuar në Rregullën 107 nuk mund ta detyrojë atë dhe as të urdhërojë pranimin e provave shtesë përtej autorizimeve të ofruesit të informacionit.

Trupi gjykues e ka quajtur relevante deklaratën e Clark, duke thënë se mund t’i ndihmojë ata në vërtetimin e fakteve dhe rrethanave relevante në këtë çështje. Si rrjedhojë, ka pranuar vendosjen e këtyre masave përveç të katërtës.

Kurse për masën e katërt, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja e Thaçit mund të mos jetë mjaftueshëm e informuar për të identifikuar pyetje ku interesat e ofruesit të informacionit mund të preken. Por, sipas tyre prania në sallë e përfaqësuesve të ofruesit të informacionit do të ndihmojë që këto çështje të adresohen. Për rrjedhojë, u vendos që edhe masa e katër lt është e nevojshme dhe u aprovua.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020

Të ngjashme

Të fundit