Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka ngritur shqetësime rreth buxhetit të shtetit.
Përmes një postimi, Shala thotë se buxheti është ligji më i rëndësishëm i një qeverie, por që qeveria asnjëherë nuk ka përcaktuar asnjë procedurë se si duhet shqyrtuar dhe miratuar projektligji për buxhetin në rastet si ky i tanishmi, kur shteti është me qeveri në detyrë, shkruan IndeksOnline.
“Kjo tregon qartë se kemi pasur të bëjmë me një mazhorancë të padijshme dhe joprofesionale, e cila ka propozuar dhe miratuar ligje të pazbatueshme në praktikë” shkroi Shala.
Ky është postimi i plotë i tij:
Reagim lidhur me zërat e mekur të qeverisë në ikje për Buxhetin e shtetit
Ish-qeveria, në vitin 2022, e ka proceduar Ligjin për Qeverinë, i cili më pas është miratuar nga Kuvendi me mbështetjen e mazhorancës së atëhershme.
Në nenin 31, paragrafi 2 të këtij ligji, i jepet e drejta Qeverisë në detyrë që t’i propozojë Kuvendit projektligjin për buxhetin e shtetit, një dispozitë me anomali në vetvete, pasi buxheti është ligji më i rëndësishëm i një qeverie, përmes të cilit pasqyrohen politikat dhe prioritetet e saj zhvillimore në çdo sektor.
Ndërkohë, në Rregulloren e Kuvendit, e miratuar po ashtu në vitin 2022 nga e njëjta shumicë parlamentare, nuk është përcaktuar asnjë procedurë se si duhet të shqyrtohet dhe miratohet projektligji për buxhetin në raste kur qeveria është në detyrë.
Kjo tregon qartë se kemi pasur të bëjmë me një mazhorancë të padijshme dhe joprofesionale, e cila ka propozuar dhe miratuar ligje të pazbatueshme në praktikë.






