1.1 C
New York
Tuesday, February 10, 2026

Buy now

“Certifikimi për 1 minutë i Listës Serbe”: Pse anëtarët e VV-së në KQZ e ndryshuan qëndrimin ndaj Listës Serbe?

- Advertisement -

Brenda 10 dite qëndrimi i Lëvizja Vetëvendosje ndaj Listës Serbe ka ndryshuar drastikisht.

Ndonëse nuk ka ndryshuar asgjë prej fakteve, anëtaret e VV-së në KQZ kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për rezultatin e 28 dhjetorit të Listës Serbe.

Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi kanë ngritur duart për të votuar certifikimin e rezultatit për kandidatët e këtij subjekti politik, duke harruar votën e tyre kundër para disa dite.

Ndoshta në mbledhjen më të shkurtër të KQZ-së, zyrtarët e VV-së nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të kundërshtuar rezultatin e subjektit politik serb.

Brenda një minute nga hapja e mbledhjes së KQZ-së 11 anëtarët e KQZ-së kanë votuar për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit për të gjitha subjektet politike.

Asnjeri prej zyrtarëve të VV-së në KQZ nuk ka folur para se të jepet aprovimi për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, sipas të cilave edhe Lista Serbe do të jetë pjesë e Kuvendit të ardhshëm të Kosovës me 9 deputetët e saj.

I zhurmshmi i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka folur pasi ka ngritur dorën për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme.

Vetëm pasi vulosi rezultatin e këtij subjekti politik, të cilin para pak ditësh e kishte kundërshtuar, Kurteshi e mori fjalën.

Ai për 6 sekonda u mundua të sqaronte qëndrimin e partisë së Albin Kurtit për votën “pro” ndaj Listës Serbe.

“Të gjitha rezervat që i kemi pas për Listën Serbe, i kemi dhe vazhdojmë t’i kemi”, ka thënë Kurteshi.

Kurse bashkëpartiaku i tij, Alban Krasniqi, zgjodhi të mos e thotë asnjë fjalë për ndryshim të qëndrimit.

Ndonëse në videon nga mbledhja e djeshme, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, shihet duke e lutur që Alban Krasniqi ta marrë fjalën, por bashkëshorti i Albulena Haxhiut refuzon, duke treguar me gjeste se nuk ka çfarë të thotë.

Vetëm 10 ditë më herët, të njëjtit anëtarë, ishin shfaqur krejtësisht ndryshe, duke kundërshtuar dhe mosvotuar shpalljen e rezultateve për Listën Serbe.

Në 31 janar, vetëm 3 vota ishin deklaruar për aprovimin e rezultateve të Listës Serbe, kurse kundër me zë të fuqishëm ishin shprehur dy anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi.

Anëtarët e partive tjera, PDK – LDK – AAK, duke u ndikuar nga kundërshtimi i VV-së kishin abstenuar në votimin për këtë rezultat.

Në këtë mbledhje, në mënyrë të paprecendentë, kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi, kishte mundësuar veçimin e rezultatit të Listës Serbe, duke lejuar votimin ndaras. Radoniqi kishte plotësuar dëshirën e anëtarit të VV-së në KQZ, Sami Kurteshi.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe kishte nxitur reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka rrëzuar vendimin e KQZ-së për mosmiratimit e rezultatit të kandidatëve të Listës Serbe.

“PZAP konstaton se KQZ nuk ka ofruar asnjë arsyetim ligjor për refuzimin e shpalljes së rezultatit përfundimtar…për subjektin Lista Serbe dhe kandidatët e saj. Vendimi i KQZ-së është i mangët, jo i plotë dhe nuk i ka trajtuar çështjet thelbësore as faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për shpalljen e rezultatit përfundimtar”, ishte thënë në vendimin e PZAP-së./nacionale.com

Të ngjashme

Të fundit