Me ndeshje dramatike dhe rezultate interesante ka përfunduar faza e dytë grupore në Kupën e Botës në basketboll që po zhvillohet në Filipine, Japoni dhe Indonezi. Lituania e bëri befasinë më të madhe duke e mposhtur SHBA-në me rezultat 110:104. Kështu Lituania kalon në çerekfinale si fituese e grupit, ndërsa SHBA-ja si e dyta në grup. Gjermania befasoi Slloveninë e Luka Donçiqit, duke e mposhtur 100:71. Gjermanët kanë fituar grupin K, ndërsa Sllovenia ka avancuar nga vendi i dytë.
Dhe në grupin L, Spanja ka mbetur jashtë dy pozitave të para, përkatësisht jashtë çerekfinales. Në ndeshjen shumë dramatike ndaj Kanadasë pësoi me rezultat 88:85. Kanadaja ka fituar grupin, ndërsa Letonia ka avancuar si e dyta. Spanja ka mbetur e treta dhe Brazili i katërti.
Ndeshjet çerekfinale janë të martën e të mërkurën. Të martën janë ndeshjet Lituania – Serbia (10:45) dhe Italia – SHBA-ja (14:40). Të mërkurën janë dy çerekfinalet e tjera: Gjermania – Letonia (10:45) dhe Kanadaja – Sllovenia (14:30).
Lituania – Serbia
Fituesja e medaljes së bronztë në Botërorin 2010, Lituania, nuk ka humbur në Botërorin që po mbahet aktualisht. Lituania në çerekfinale do të jetë e motivuar pas fitores madhështore ndaj SHBA-së.
Italia – SHBA-ja
Italia ka shpresuar të shmangë përballjen me SHBA-në, pasi fitoi Grupin I të fazës së dytë. Por do të ketë punë me amerikanët, që humbën nga Lituania dhe përfunduan të dytët në Grupin J.
SHBA-ja do të jetë e motivuar të reagojë pas humbjes së papritur në fazën e dytë të grupeve. SHBA-ja ka pesë tituj të botës dhe bilanc prej 12:2 ndaj Italisë. Pritet ndeshja shumë interesante.
Gjermania – Letonia
Gjermania është në çerekfinale për herë të parë që nga viti 2006. Ndërkohë Letonia ka arritur në çerekfinale në debutim në Botëror. Të dy përfaqësueset synojnë të vazhdojnë kampanjën e ëndrrave. Gjermanët kanë fituar në vetëbesim pas fitores ndaj Sllovenisë. Ndërkohë, Letonia mposhti Spanjën dhe Brazilin dhe tashmë kërkon tjetër befasi të madhe.
Gjermania ka bilanc 3:2 ndaj Letonisë. Ndeshja e fundit mes dy përfaqësueseve ishte në Eurobasket 2011. U fitua nga gjermanët.
Kanadaja – Sllovenia
Kanadaja është në tetë përfaqësueset më të mira për herë të parë që nga viti 1994. Do të përballet me Slloveninë, që në këtë fazë të Kampionatit Botëror është për herë të tretë rresht.
Sllovenia dhe Kanadaja janë takuar vetëm një herë deri më tani. Përfaqësuesja evropiane ka fituar në Turneun Kualifikues për Lojëra Olimpike të vitit 2008.