Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka hedhur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si sipërfaqësor në diskutime politike.
Gjatë intervistës në emisionin Debat Plus, Abdixhiku ka treguar se gjatë takimeve të përbashkëta me liderët e partive politike, shpeshherë janë habitur nga niveli i ulët i mendimeve të Kurtit.
“Me ju thënë të drejtën, edhe prej takimeve personale ne shpeshherë kemi mbetur të shokuar nga cekëtësia e mendimeve të Albin Kurtit në diskutime. Për shembull, në takimin që kemi pasur me liderët politikë ku ishim mbledhur të gjithë, niveli me të cilin ai interpretonte në gjuhën shqipe vendimin e Gjykatës Kushtetuese – fakti që s’i kuptonte gjërat e shkruara shqip – ishte shqetësues për secilin prej nesh”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, kjo sjellje është tregues i mënyrës së qasjes së Kurtit ndaj vendimeve dhe proceseve të rëndësishme politike në vend.