21.7 C
New York
Monday, August 11, 2025

Buy now

Çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të përfshijë Kievin dhe BE-në, thotë Kallas

- Advertisement -

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka përsëritur thirrjen që çdo marrëveshje mes Uashingtonit dhe Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të përfshijë Kievin dhe BE-në.

“SHBA-ja ka fuqinë ta detyrojë Rusinë të negociojë seriozisht. Çdo marrëveshje mes SHBA-së dhe Rusisë duhet të përfshijë Ukrainën dhe BE-në, sepse është çështje e sigurisë së Ukrainës dhe të gjithë Evropës”, tha Kallas.

Deklarata e Kallasit erdhi para takimit që presidenti amerikan, Donald Trump, pritet ta zhvillojë javën e ardhshme në Alaskë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Udhëheqësit evropianë kanë mirëpritur përpjekjet e Trumpit për ta zgjidhur këtë konflikt 41-muajsh, por kanë theksuar nevojën për të ushtruar presion mbi Moskën dhe për të ofruar garanci sigurie për Kievin.

Kallas njoftoi gjithashtu se më 11 gusht do të thërrasë një takim të ministrave të jashtëm të vendeve evropiane për të diskutuar hapat e mëtejshëm.

“E drejta ndërkombëtare është e qartë: të gjitha territoret e përkohësisht të pushtuara i përkasin Ukrainës”, tha Kallas, duke përsëritur mbështetjen për Kievin, i cili ka kundërshtuar sugjerimet e SHBA-së se do të duhet t’i dorëzojë disa territore Rusisë.

Ajo paralajmëroi se “një marrëveshje nuk duhet të shërbejë si trampolinë për agresion të mëtejshëm rus ndaj Ukrainës, aleancës transatlantike dhe Evropës.”

Deklaratat e saj pasuan një qëndrim të përbashkët të aleatëve evropianë të Kievit, më 9 gusht, të cilët thanë se çdo bisedim për paqe me Rusinë duhet të përfshijë edhe Ukrainën.

Udhëheqësit evropianë e kanë përshëndetur vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por theksuan nevojën për ta vazhduar trysninë mbi Moskën dhe për t’i mbrojtur interesat e sigurisë së Ukrainës dhe Evropës.

“Ne ndajmë bindjen se një zgjidhje diplomatike duhet t’i mbrojë interesat jetike të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës”, thuhet një komunikatë të përbashkët.

“Ne pajtohemi se këto interesa jetike përfshijnë nevojën për garanci të forta dhe të besueshme sigurie që ia mundësojnë Ukrainës ta mbrojë në mënyrë efektive sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, theksuan ata, duke shtuar: “Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën”.

Udhëheqësit deklaruan se “mbeten të përkushtuar ndaj parimit që kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Ata theksuan se negociatat mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose uljeje të armiqësive.

Në një tjetër deklaratë të lëshuar më 10 gusht nga aleatët perëndimorë të Kievit, grupi Nordik-Baltik 8 shprehu mbështetjen për Kievin dhe tha se paqja mund të arrihet vetëm përmes rritjes së presionit mbi Rusinë që ta ndalë luftën e saj “të paligjshme”.

Deklarata e liderëve të Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Islandës, Letonisë, Lituanisë, Norvegjisë dhe Suedisë theksoi se ata “rikonfirmojnë në parimin se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.

Hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme nuk janë bërë të ditura, por Trumpi tha se ajo do të përfshinte “disa shkëmbime territoresh për përfitimin e të dyja palëve”.

Marrëveshja mund të kërkojë që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të mëdha të tokës së vet, gjë që, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatëve të tij evropianë, vetëm sa do ta nxiste agresionin rus.

NBC News, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan dhe tre të tjerë të informuar mbi çështjen, raportoi mbrëmjen e së shtunës se Shtëpia e Bardhë po shqyrtonte mundësinë për ta ftuar Zelenskyn në takimin në Alaskë.

Megjithatë, Reuters më vonë citoi një tjetër zyrtar të Shtëpisë së Bardhë të ketë thënë se, ndonëse Trump do të ishte i hapur për një takim trepalësh në Alaskë, për momentin planet janë vetëm për bisedime dypalëshe Trump–Putin, siç ka kërkuar lideri rus.

Putin deri tani e ka përjashtuar mundësinë e një takimi me Zelenskyn, i cili ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime të tilla të drejtpërdrejta.

Zelensky tha të dielën se Kievi “vlerëson dhe mbështet plotësisht” deklaratën e përbashkët të udhëheqësve evropianë për arritjen e paqes në Ukrainë, duke mbrojtur interesat ukrainase dhe evropiane.

Ukraina dhe BE-ja kanë kundërshtuar propozime që i shohin si lëshime të tepërta ndaj Putinit, i cili dërgoi trupat ruse në Ukrainë në shkurt 2022.

Rusia e justifikon luftën me arsyetimin e asaj që e quan kërcënim ndaj sigurisë së saj nga orientimi i Ukrainës drejt Perëndimit.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë thonë se pushtimi është një grabitje tokash në stilin imperialist.

Moska i pretendon si të vetat katër rajone ukrainase: Luhanskun, Donjeckun, Zaporizhjan dhe Hersonin – si dhe gadishullin e Detit të Zi, Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014./REL/

Të ngjashme

Të fundit