Carlo Ancelotti do ta mbyllë shumë shpejt eksperiencën në Real Madrid për ta nisur një epokë të re, atë të selektorit të Kombëtares së Brazilit.
Në konferencë për shtyp sot, trajneri italian ka dhënë fjalë prekëse teksa foli për përvojën e mrekullueshme që e kishte me “Los Blancos”.
“Futbolli, njëjtë si jeta, është një aventurë që fillon dhe mbaron. E kam menduar gjithmonë se një ditë do të përfundojë gjithçka. Një periudhë e bukur po përfundon, jam zbavitur shumë. Por, si të gjitha gjërat e jetës, vjen një moment si ky. Nuk kam pasur kurrë probleme me këtë klub, është një klub që e kam në zemër dhe që do ta mbaj gjithmonë brenda meje edhe kur të përfundojë kjo aventurë. Po merr fund, pas disa vitesh të cilët i kemi kaluar duke fituar shumë trofe, me kujtime fantastike që do të më ndjekin gjatë tërë jetës”, deklaroi “Don Carlo”, i cili i ka fituar 11 trofe me “Merengues” në dy eksperiencat që i pati në Madrid me një periudhë katërvjeçare.
“Nëse në ditën kur kam ardhur dikush do më thoshte se do t’i fitoja 11 trofe për 4 vjet, do ta nënshkruaja këtë me gjak. Ky sezon nuk shkoi mirë për shumë arsye. Por, ishte një periudhë e paharrueshme. E kam arritur maksimumin që mund ta nxirrja nga vetja ime. Titujt flasin vetë.”
“Nuk e kam menduar kurrë që Real Madridi nuk më donte. Madridi më do, më ka dashur gjithmonë. Më ka dhënë gjithmonë dashuri. Nuk do të mundë të isha trajner i Realit për tërë jetën. Mori fund për shumë arsye: klubi ka nevojë që ta ketë një jetë të re, nuk do të bëj drama. Mijëra falënderime për këtë klub, do të bëj tifo për Realin për tërë jetën time. Po merr fund një periudhë spektakolare: nuk e kisha menduar kurrë se do ta drejtoja Realin për gjashtë vjet dhe kjo ndodhi.”