Puthja e aktores Cara Delevingne me artisten e njohur Selena Gomez në episodin e dytë të sezonit të dytë të “Only Murders in the Building” është komentuar jo pak nga fansat.
Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë pasur reagime të ndryshme ndaj romancës së dy mikeshave në ekran që kur u transmetua skena e puthjes së tyre. Aktorja ka zbuluar se ajo u argëtua shumë duke xhiruar skenën me këngëtaren.
“A nuk do të dëshironte çdokush në botë ta puthte Selenën?”, është përgjigjur ajo gjatë një interviste të fundit, pasi është pyetur për eksperiencën e saj në serial. “Ishte thjesht argëtuese,” vijoi më tej ajo, duke shtuar se të dyja janë ndjerë komode nën shoqërinë e njëra-tjetrës.
Modelja nuk i kurseu aspak fjalët e mira për Selenën duke e cilësuar atë aktoren e preferuar.
Ajo foli edhe për miqësinë e tyre në jetën reale, duke pranuar se ato nuk shihen shumë shpesh për shkak të angazhimeve të shumta, por gjithnjë sipas saj është një kënaqësi e madhe takimi me të.