Profesori universitar dhe ish-ambasadori, Blerim Canaj, duke komentuar kritikat që ka dhënë emisari presidencial për misione të Posaçme në administratën e Trumpit, Richard Grenell, ka thënë se do të duhet shumë nga Kurti më i ndërtuar marrëdhëniet me administratën e re amerikane.
Ai duke folur edhe për raportet që Kurti kishte me Grenell i cili në mandatin e parë të Trump ishte i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se edhe raportet personale kanë shumë rëndësi në diplomaci.
“Një Grenell dhe një Trump atje, dhe një Albin Kurt këtu, ka mu deshtë shumë punë me ndërtuar marrëdhëniet. Kosova e ka humb shansin brilant me Joe Biden, për shkak se më i afërt se Biden s’ka qenë askush”, ka thënë Canaj në Tëvë1.
Richard Grenell ka vazhduar me kritika ndaj qeverisë aktuale të Kosovës të udhëhequr nga Kurti.
Grenell duke shpërndarë një postim të kryeministri Kurti në X të datës 22 korrik 2024, i cili kishte vlerësuar ish- presidentin Biden, ka thënë se Kurti i solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në pikën më të ulët.
“Marrëdhëniet e SHBA me Kosovën vuajtën gjatë presidencës së Joe Biden. Departamenti i Shtetit i Bidenit dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme. Ai i solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në pikën më të ulët. Ai u dënua nga liderët evropianë, NATO dhe ekipi i Joe Biden. Kurti mbështeti Joe Biden dhe Kamala Harris dhe megjithatë ai ishte ende i kritikuar nga ata”, ka thënë Grenell.
Ai edhe ditë më parë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, pasi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili kishte thënë se qasja e Biden e ka vënë Kosovën në situatë të disfavorshme ndaj Serbisë.