Profesori dhe diplomati, Blerim Canaj ka vlerësuar se të martën mund të bëhet konstituimi i Kuvendit, ku sipas tij si emër flitet edhe Fatmir Limaj.
Sipas tij, qeveria e ardhshme me shumë gjasë do të jetë nga LVV dhe Nisma.
“Nga ajo që pamë dhe kemi parë deri më tani është se kryetari i Parlamentit do të përcaktohet me gjasë. Tash se a do të jetë Fatmir Limaj, kryetar apo dikush tjetër presim ta shohim. Të gjitha parakushtet janë që të kemi një qeveri të përbërë nga LVV dhe Nisma, edhe pse z.Limaj tha se ende nuk ka marrëveshje. Sonte po thuhet që do ta kenë një takim dhe në atë takim nëse ndodh më shumë do të ndahen dikasteret”, ka thënë Canaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka vlerësuar se një bashkëpunim i tillë nuk mund të sjellë një qeveri stabile dhe afatgjate që sipas tij, është në interes të Kosovës.
“Për Kosovën në interes do të ishte një qeveri stabile dhe afatgjate dhe një gjë të tillë LVV do ta siguronte me dy partitë tradicionale, PDK dhe LDK-në”, ka thënë Canaj.