Diplomati, Blerim Canaj, thotë se secili politikan që hyn në garë e ka synim pushtetin. Andaj, sipas tij, edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate ka të drejtën politike që koaliciojë me LVV-në.
Canaj thotë se Limaj nuk e përcaktoi që do të futej në koalicion me VV-në, por e la të hapur.
“Limaj, është në politikë. Secili person që hyn në garë, hyn me një qëllim që është pushteti dhe në këtë kontekst edhe e shoh edhe Limajn. Absolutisht, ai ka të drejtë që të vendosë për subjektin e vetë dhe të vendos për orientimin e saj. Limaj tha se ‘jam i gatshëm për interes nacional të i futem këtyre katrahurave’, por ai nuk e përcaktoi dicitivisht që ai do të futej në koalicion me Albin Kurtin, por tha (e la të hapur mundësinë) është okay, pse jo… do të duhej të uleshin edhe partitë tjera!?”, tha ai në Tëvë1.
Ndërkohë, Canaj thotë se më e dobishme për Kosovën do të ishte një koalicion i formuar nga opozita, sepse ky nga LVV-ja e Nisma nuk do të mund ta çonte mandatin deri në fund.
“Nëse PDK-ja ka të drejtë, LDK-ja e AKK-ja, pse Limaj jo? … kur të krijohet një partneritet, natyrisht që ka kërkesa… Unë shumë me më shumë dëshirë do ta shihja një qeveri të opozitës, për shkak se edhe nëse shkon Limaj në koalicion me LVV-në, prapë se prapë nuk është se po sigurohet një siguri që kjo qeveri do të çojë mandatin deri në fund”, deklaroi Canaj.