Profesori universitar dhe diplomati, Blerim Canaj ka vlerësuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të zgjidhin situatat e krizave politike, sikur kjo aktualja nëse nuk ka marrëveshje politike.
Ai ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se si duhet ecur përpara në konstituimin e Kuvendit, por sipas tij, kjo nuk mjafton.
“Nuk mund të presim që këto çështje procedurale të na e zëvendësojnë atë që është më e rëndësishmja, kompromisin politik. Ne mund të marrim qindra aktgjykime nga Gjykata Kushtetuese, por në qoftë se nuk ka vullnet politike mund të gjenden hapësira që na qojnë në bllokadë, në gjendjen që jemi tani. Kur ne gjithçka e lëmë te Gjykata Kushtetuese, pse deputetët kërkojnë votën e qytetarëve. Politikanët janë për të gjetur zgjidhje jo me krijua probleme”, ka thënë ai në Tëvë1.
Sipas tij, dy emrat për kryetar të Kuvendit që mund ta zhbllokojnë këtë situatë, janë Glauk Konjufca dhe Fatmir Limaj.
Canaj e ka vlerësuar si të vështirë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në të njëjtën kohë me ato lokale që pritet të mbahen më 12 tetor.
Ai ka thënë se shumë deputetë të zgjedhur nuk janë të gatshëm për shkuarje në zgjedhje.