Diplomati Blerim Canaj ka reaguar pas vendimit të Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ia ka rrëzuar MPJD-së konkursin përmes të cilit vitin e kaluar kishte pranuar 21 diplomatë të rinj, raporton Scanner.
Në vendimin thuhet se konkursi në fjalë është shpallur në mënyrë të kundërligjshme.
Canaj ka shkruar se Donika Gërvalla e filloi mandatin me premtimin për ligjshmëri, por veprimet e saj kanë dëshmuar të kundërtën: shkelje ligjore, kapje institucionale dhe gënjeshtra publike.
Ai ka rikujtuar kur Gërvalla me një vendim arbitrar dhe plotësisht të kundërligjshëm, largoi nga MPJD diplomatë të trajnuar dhe të certifikuar.
Postimi i plotë:
Donika Gërvalla e filloi mandatin me premtimin për ligjshmëri, por veprimet e saj kanë dëshmuar të kundërtën: shkelje ligjore, kapje institucionale dhe gënjeshtra publike.
Që në fillim, me një vendim arbitrar dhe plotësisht të kundërligjshëm, Gërvalla-Schwarz largoi nga MPJD diplomatë të trajnuar dhe të certifikuar, të cilët kishin përfunduar me sukses të gjitha shkallët e konkursit në një proces të rregullt dhe të mbikëqyrur (Madje nga British Council). Tani po shihet që arsyeja e vërtetë ishte t’u lirohej vendi të afërmve dhe të preferuarve politik të saj dhe VV. Këto shkelje të Gërvalla-Schwarz&Co i ka konstatuar edhe Avokati i Popullit, i cili ka gjetur se largimi i këtyre diplomatëve është bërë në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese.
Këta diplomatë tashmë e kanë fituar çështjen në shkallën e parë të gjykatës, e cila ka konfirmuar se vendimi për largimin e tyre ishte i paligjshëm, ndërsa rasti është në pritje të shqyrtimit në apel.
Ndërkohë, sot u dëshmua edhe një herë sesi Donika Gërvalla vazhdon ta shkelë ligjin dhe ta përdor ministrinë si pronë private: Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e ka rrëzuar konkursin për pranimin e 21 diplomatëve të rinj, duke konstatuar se kriteret ishin ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme, se ishin shkelur rregulloret për klasifikimin e vendeve të punës dhe se ishte përdorur një vendim i pavlefshëm për të mbështetur një proces të manipuluar, i cili kishte për qëllim të favorizonte njerëz të afërt me VV-në dhe me vetë ministren, përfshirë ish-këshilltarë të saj politikë.
E gjithë kjo dëshmon qartë se Donika Gërvalla-Schwarz, së bashku me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, që në fillim, kurrë nuk kanë pasur për qëllim forcimin e diplomacisë së Kosovës, por shkatërrimin e saj të qëllimshëm – për ta zëvendësuar profesionalizmin me lojalitet politik dhe për të kthyer MPJD-në në një zyrë për militantët e pushtetit.
Duke pasur parasysh që kësaj qeverie vendimet e tilla fare nuk iu bëjnë përshtypje, ta shohim se a do e zbatoj Gërvalla-Schwarz këtë vendim.