Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarë në Prishtinë ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhjet në komunat veriore pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Ish-diplomati Blerim Canaj, e vlerësoi si naive këtë deklaratë të Bislimit, teksa shtoi që Kosovës nuk do t’i hiqen masat derisa nuk i plotëson tri kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Nëse Bislimi do të kishte sens për politikë mes sigurisë, fare nuk do të ishin vendosur masat ndaj Kosovës. Andaj, mund të them që është shumë një deklaratë naive e Bislimit. Kosova nuk mund të presë t’i hiqen masat pa përfunduar një proces që e ka si kusht. Natyrisht që nuk do të hiqen masat. Nëse vazhdojnë ta mbajnë këtë qëndrim, masat do të vazhdojnë, e nëse vazhdojnë të jenë ende më të ngurtë, masat mund edhe të forcohen. BE-ja s’po merret më me Kosovën deri sa të plotësohen kërkesat. Zgjedhjet duhet të mbahen, së paku duhet të fillojë organizimi i zgjedhjeve. Ura tani është prishur dhe është jashtëzakonisht e vështirë që Kurti ta rindërtojë atë”, deklaroi Canaj në emisionin “Ditari”.
Më tej, Canaj tha se Qeveria aktuale duhet të ketë parapërgatitje për takimet eventuale të cilat do të mbahen nga muaji shtator.
“Zotimi në Ohër, Kurtin e ka kthyer mbrapa dhe këtë gjë e ka kuptuar vonë. Madje, kam përshtypjen që më shumë do t’i konvenonte Kurtit të shkonte veriu në zgjedhje, që pastaj të futet në zgjedhje të përgjithshme”, shtoi tutje Canaj në Tëvë1.
Ndërkaq, sa i përket takimit i cili do të mbahet sot, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ish-diplomati vlerësoi që diskutimi do të jetë më shumë i fokusuar rreth Procesit të Berlinit.
“Ardhja e tij ka të bëjë më shumë me procesin e Berlinit dhe mos shkuarjen e Kurtit në takim te Edi Rama. Mirëpo, jam shumë i sigurt që diskutimi do të jetë për Procesin e Berlinit, e pastaj do të vazhdojnë çështjet tjera”, theksoi Canaj në Tëvë1.
Po ashtu, Canaj tregoi se gjatë takimit me disa njerëz në Berlin, kishte kuptuar që ata ishin të dëshpëruar nga hapat që i ka marrë Qeveria e Kosovës.
Kujtojmë se zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e kanë vënë si parakusht heqjen e masave sanksionuese të BE-së para se të mbahen zgjedhjet e reja në veri, sipas dakordimit të arritur mes kryenegociatorit Besnik Bislimi e emisarit Miroslav Lajçak.