Dje është mbajtur takimi i shumëpritur në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Edon Cana nga PDK-ja, e ka quajtur një “debakël diplomatik” të kryeministrit Albin Kurtit, i cili sipas tij, e degradoi procesin në mënyrë të pakthyeshme.
“Qëndrimet nëse ndryshojnë në benefit të shtetit dhe përparimit të procesit ndonjëherë nuk është problem. Por, këtu kemi të bëjmë me një debakël diplomatik të Kurtit, i cili e degradoi procesin në mënyrë të pakthyeshme duke u kthyer një dekadë më herët; në të cilën në atë kohë ne ishim në rrethana krejtësisht tjera gjeopolitike”, ka thënë Cana në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova.
“Kurti në mënyrë spektakolare ka arritur që kur Kosova ishte në anën e duhur, në periudhën më të rrezikshme të historisë evropiane sa i përket luftës në Evropë, ka arritur që një Serbi në defansivë t’i ndihmojë që të shndërrohet në një palë konstruktive, dialoguese dhe në fund duke përfituar shumë më shumë se në vitin 2013”, tha Cana.
“Me marrëveshjen e Kurtit e kemi normalizuar një konflikt të ngrirë i cili do të vazhdojë. Kemi normalizuar një dialog të përhershëm dhe në fund ne kemi humbur edhe në përfitimet konkrete diplomatike”, tha ai.