Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Çalaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për deklaratën e tij në Kuvend ku thoshte se sa të jetë ai kryeministër, Blerim Isufaj nuk do të emërohet si kryeprokuror.
Çalaj tha se me këtë deklaratë, Kurti e ka sulmuar Kushtetutën e Kosovës, sepse, sipas tij, kryeministri nuk duhet të përzihet në çështjet që nuk i takojnë.
“Ajo që Kurti, ka thënë që sa të është kryeministër, Isufaj nuk do të bëhet kryeprokuror, është atakim në Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta nuk e njeh kryeministrin as kryeparlamentarin, në çështjen e emërimit të kryeprokurorit. Kushtetuta e njeh vetëm presidenten dhe KPK-në. KPK e propozon dhe presidentja e aprovon apo jo”, ka thënë deputeti i PDK-së në Debat Plus.
Tutje ai tha se Kurti nuk do të duhej të fliste për gjykimet e përfunduara, pasi që sipas tij, vetëm prokurorët kanë të drejtë t’i rikualifikojnë lëndët.