Sot ka filluar numërimi i 29 mijë e 638 votave të ardhura nga diaspora për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Lidhur me këtë zhvillim, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se votat jashtë vendit mund ta ndikojnë rezultatin përfundimtar në 15 komuna.
Ai në një postim në Facebook tha se ato mund ta ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës zgjedhore të së dielës.
“ Ndonëse përbëjnë vetëm rreth 1.4% të totalit të përgjithshëm të votave, ato mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës zgjedhore. Duke supozuar që të gjitha votat do të jenë të vlefshme (zakonisht nuk ndodhë kështu), MATEMATIKISHT, ato mund të ndikojnë drejtpërdrejtë rezultatin e 15 komunave të mëposhtme – qoftë në përcaktimin nëse do të ketë balotazh apo jo, qoftë në renditjen përfundimtare të kandidatëve”.
Postimi i plotë:
Votat jashtë vendit mund ta ndikojnë rezultatin përfundimtar në plot 15 komuna!
Sot ka filluar numërimi i 29,638 vota të ardhura nga diaspora. Ndonëse përbëjnë vetëm rreth 1.4% të totalit të përgjithshëm të votave, ato mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës zgjedhore. Duke supozuar që të gjitha votat do të jenë të vlefshme (zakonisht nuk ndodhë kështu), MATEMATIKISHT, ato mund të ndikojnë drejtpërdrejtë rezultatin e 15 komunave të mëposhtme – qoftë në përcaktimin nëse do të ketë balotazh apo jo, qoftë në renditjen përfundimtare të kandidatëve.
- Deçani
Kjo komunë mbetet matematikisht e hapur për balotazh. Bashkim Ramosaj (AAK) e siguron fitoren në raund të parë vetëm nëse fiton mbi 33% të votave të diasporës. Në të kundërtën, nëse partitë e tjera marrin mbi 66%, gara shkon në balotazh mes AAK dhe LDK.
- Gjakova
Ardian Gjini (AAK) mund ta fitojë komunën pa balotazh vetëm nëse merr rreth 90% të votave të diasporës – skenar pothuajse i pamundur.
- Gjilani
Alban Hyseni (LVV) mund ta mbyllë garën pa balotazh nëse fiton mbi 57% të votave jashtë vendit. Çdo përqindje më e ulët se kjo e dërgon komunën në balotazh.
- Dragashi
Bexhet Xheladini (LDK) do të duhej të fitonte rreth 85% të votave të diasporës për ta mbyllur garën pa balotazh. Ndërsa Filiz Mustafa (LVV) mund të hyjë në balotazh vetëm nëse fiton rreth mbi 83 % të votave jashtë vendit (pavarësisht si performon kandidati i PDK-së, Shaban Shabani).
- Kaçaniku
Balotazhi është i pashmangshëm, por votat nga diaspora mund të ndikojë në renditjen e dy kandidatëve kryesorë. Sabedin Vishi (PDK) duhet të sigurojë mbi 21% të votave jashtë vendit për ta ruajtur matematikisht pozitën e parë ndaj Jeton Rakës (LVV).
- Klina
Zenun Elezaj (AAK) do ta fitonte komunën pa balotazh vetëm nëse siguron mbi 73% të votave nga diaspora. Në të kundërtën, gara shkon në raund të dytë.
- Kamenica
Matematikisht, balotazhi mbetet i mundshëm. Kadri Rahimaj (LVV) e mbyll garën pa balotazh vetëm nëse fiton të paktën 42% të votave të diasporës. Nëse performanca është më e dobët se kjo, Qëndron Kastrati (PSD) hyn në balotazh me të.
- Mitrovica e Jugut
Balotazhi është i sigurt, por votat jashtë vendit do të përcaktojnë renditjen mes Arian Tahirit (PDK) dhe Faton Pecit (LVV). Tahiri e ruan vendin e parë nëse fiton rreth 48% të votave të diasporës.
- Rahoveci
Balotazhi është i pashmangshëm, por diaspora mund të ndikojë se kush hyn në balotazh. Burim Krasniqi (LDK) duhet të fitojë rreth 58% të votave jashtë vendit për ta kaluar Ali Dulën (LVV) dhe për të siguruar vendin e dytë.
- Prishtina
Komuna do të ketë balotazh mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekos (LVV). Votat e diasporës mund të ndryshojnë vetëm renditjen e dy kandidatëve të parë. Rama e ruan vendin e parë nëse fiton mbi 15% të votave jashtë vendit.
- Shtimja
Votat e diasporës mund të përcaktojnë nëse do të ketë apo jo balotazh. Qemajl Aliu (LVV) e siguron fitoren në raund të parë vetëm nëse fiton rreth 42% të votave të diasporës. Nëse partitë tjera fitojnë rreth 60% të këtyre votave, komuna shkon në balotazh.
- Vitia
Balotazhi mbetet i pashmangshëm, por diaspora mund të ndikojë në renditjen përfundimtare. Arsim Ademi (LVV) do të duhej të fitonte rreth 80% të votave të diasporës për ta kaluar Sokol Halitin (LDK).
- Juniku
Kjo është komuna më e ndjeshme ndaj votave jashtë vendit – ato mund të përcaktojnë nëse do të ketë balotazh, kush del i pari, apo kush i dyti. Ruzhdi Shehu (LDK) e fiton pa balotazh vetëm nëse merr të paktën 55% të votave të diasporës, ndërsa Agron Kuçi (AAK) duhet të fitojë mbi 70% të këtyre votave për ta përmbysur rezultatin përfundimtar. Për ta garantuar vendin e parë në balotazh, pavarësisht shpërndarjes, kandidatit të LDK-së i duhen mbi 42% të votave të diasporës, kurse, atij të AAK-së, për pozitën e njëjtë, i duhen mbi 58% të votave të diasporës.
- Mamusha
Abdülhadi Krasniç (KDTP) mund të shkojë në balotazh, vetëm nëse ai nuk arrin të fitojë të paktën 45% të votave jashtë vendit. Nëse Fikret Morina (MHH) dhe Agron Mazreku (LVV) fitojnë mbi 55%, komuna shkon në raund të dytë. Në rast se Morina fiton rreth 75% të votave, ai do të shpallet fitues pa balotazh.
- Hani i Elezit
Në këtë komunë me vetëm dy kandidatë, votat e diasporës janë vendimtare për fituesin. Mehmet Ballazhi (PDK) fiton nëse e ruan epërsinë me të paktën 33% të votave jashtë vendit, ndërsa Rufki Suma e përmbys rezultatin vetëm nëse fiton mbi 67% të tyre