2.3 C
New York
Friday, January 23, 2026

Buy now

Cakolli: Rreth 80 mijë vota të kandidatëve u manipuluan në gjithë Kosovën

- Advertisement -

Rinumërimi i votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë ka zbuluar parregullsi të konsiderueshme në numërimin e votave preferenciale për kandidatët për deputetë, sipas të dhënave të publikuara nga Eugen Cakolli.

“Në Kosovë ka pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike”, ka shkruar Cakolli, duke sqaruar se çdo votues ka pasur të drejtë të votojë deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Sipas tij, kjo ka bërë që “numri i përgjithshëm i votave preferenciale për kandidatë të arrijë në rreth 6.8 milion”, ndërsa “mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth shtatë kandidatë në fletëvotim”.

Cakolli thekson se nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), “rreth 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit”.

Sipas tij, pas procesit të rinumërimit, “47,619 vota u janë hequr kandidatëve, sepse u ishin shtuar gjatë numërimit fillestar”, ndërsa “32,018 vota u janë shtuar kandidatëve, pasi më herët u ishin hequr në mënyrë të parregullt”.

Duke folur për shpërndarjen sipas subjekteve politike, Cakolli sqaron se “afërsisht 40 mijë vota i takojnë kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, rreth 11 mijë LDK-së dhe rreth 4 mijë AAK-së”.

“Mbi 80% e këtyre votave vijnë vetëm nga komuna e Prizrenit”, ka shkruar ai, duke shtuar se më pas renditen Malisheva dhe Podujeva, e cila deri më tani është rinumëruar vetëm pjesërisht.

Cakolli paralajmëron se ndryshimet në sistemin e votimit dhe numërimit e kanë bërë procesin më të ndjeshëm ndaj abuzimeve.

“Rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, së bashku me centralizimin e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, e ka bërë procesin shumë më të cenueshëm ndaj abuzimeve”, ka theksuar ai.

Sipas Cakollit, kur të dhënat “përpunohen nga një numër i vogël personash – që në disa raste rezultojnë të jenë familjarë apo të afërt të kandidatëve – ndërhyrjet mund të prodhojnë devijime të mëdha në rezultate”.

Të ngjashme

Të fundit