23.5 C
New York
Wednesday, July 9, 2025

Buy now

Cakolli për Qeverinë në detyrë: Për suksese të policisë ‘thyejnë këmbët’ për merita, pse askush s’merr përgjegjësi për tragjedi

- Advertisement -

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, duke theksuar se nuk ka rëndësi çfarë kishte ndodhur më parë apo në çfarë gjendje ndodhej viktima në momentin e ngjarjes.

Përmes një postimi në Facebook, Cakolli ka dënuar ashpër përpjekjet për ta zhvendosur fokusin nga përgjegjësia institucionale drejt viktimës, duke e quajtur këtë qasje “të ulët dhe të neveritshme”.

“Nuk ka asnjë rëndësi nëse Agon Zejnullahu ishte nën ndikimin e alkoolit apo ndonjë substance tjetër. Ai ka vdekur në duart e shtetit, dhe kjo është thelbësore”

“Në momentin kur ai ndaloi së rezistuari, policët duhej ta mbronin – jo ta shtypnin deri në vdekje. Kjo tregon mungesë profesionalizmi dhe çnjerëzi.” – ka shkruar ai.

Cakolli thekson se ky nuk është rasti i parë i dhunës policore në Kosovë dhe se kohëve të fundit është rritur ndjeshëm tendenca e përdorimit të forcës si zgjidhje e parë nga ana e policisë.

Ai ka kritikuar edhe përpjekjet për të justifikuar rastin me sukseset e Policisë së Kosovës në veri të vendit, duke theksuar se këto nuk mund të përdoren si mbulesë për tragjedi të tilla.

“Tashmë veçse ka filluar përpjekja e disave për të na shitur pallavra të tipit “kjo polici është ajo që merret me strukturat kriminale në veri”. Por kjo s’ka asnjë lidhje. Sukseset e policisë në veri nuk e justifikojnë mbytjen e një qytetari diku tjetër. Një narrativë e tillë duhet të refuzohet nga opinioni publik.

Për sa i përket përgjegjësisë politike, edhe pse Qeveria është në detyrë dhe ish-ministrat kanë dhënë dorëheqje prej kohësh, kjo nuk mund të mbyllet këtu. Nëse për çdo sukses të policisë thyejnë këmbët për të dalë para kamerave dhe për të marrë meritat, pse nuk del askush të marrë përgjegjësi kur ndodh një tragjedi si kjo?” – ka shkruar Cakolli.

Të ngjashme

Të fundit