4.1 C
New York
Thursday, February 19, 2026

Buy now

Cakolli pas fjalëve përfundimtare të ish-krerëve të UÇK-së: Pa ta ky shtet nuk do të ekzistonte

- Advertisement -

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik ka komentuar fjalët mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai e ka cilësuar paraqitjen e tyre si dinjitoze, teksa ngriti shqetësime lidhur me procesin gjyqësor.

Cakolli, përmes një shkrimi në Facebook, tha se përkundër kohëzgjatjes dhe paqartësive të procesit, ish-krerët qëndruan stoikë.

“Ish-krerët e UÇK-së, me fjalët e tyre përfundimtare, e përmbyllën sot me dinjitet një proces të gjatë, të shoqëruar me jo pak pikëpyetje mbi paanshmërinë, transparencën dhe trajtimin e të drejtave themelore gjatë gjykimit”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ky proces gjyqësor synonte të kriminalizonte luftën çlirimtare, por dëshmitë nuk arritën ta mbështesin këtë narrativë.

“Në thelb, për mbi pesë vite u gjykua një aktakuzë që synon ta paraqesë luftën e krerëve të UÇK-së si projekt kriminal. Ata nuk u tërhoqën asnjë hap nga domosdoshmëria për të luftuar dhe asnjë dëshmi serioze nuk arriti ta mbështesë pretendimin për një projekt kriminal të përbashkët. Ata thjesht refuzuan që roli i tyre në funksion të lirisë, të reduktohet në hierarki krimi. Ky ishte refuzim i një interpretimi që kërkon ta rishkruajë historinë, jo distancim nga vet historia e UÇK-së – ndonëse disa mezi e prisnin këtë”, theksoi Cakolli.

Cakolli shtoi se rëndësia e këtij momenti shkon përtej individëve të akuzuar, duke prekur thelbin e rezistencës së popullit të Kosovës. Ai shprehu bindjen e plotë se ata do të kthehen si njerëz të lirë.

“Ndaj mbetem me bindjen që çlirimtarët që morën mbi vete barrën e asaj kohe do ta përfundojnë këtë rrugë si njerëz të lirë. Pa ta, dhe pa luftën e tyre bashkë me shumë çlirimtarë të tjerë, ky shtet nuk do të ekzistonte për të gjykuar askënd sot”, përfundoi ai.

Të ngjashme

Të fundit