Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim, ka kritikuar përpjekjet për të relativizuar manipulimin e votave, duke theksuar se fokusi nuk duhet të jetë “kush ka manipuluar më shumë”, por nëse ka ndodhur manipulim apo jo.
Sipas Cakollit çdo individ që është përfshirë në manipulim votash duhet të mbajë përgjegjësi dhe të përfundojë në burg, pa përjashtim.
“Mos me ta marrë mendja që, pas gjithë këtij “zhvillimi shoqëror”, vijmë në pikën kur militantët e hibridët partiak relativizojnë manipulimin e votave duke u përpjekë me zhvendosë debatin te “kush ka manipuluar më shumë”, e jo te pyetja thelbësore: a ka pasur manipulim apo jo. Madje, për disa, paska ma shumë rëndësi gjatësia e kolonave në grafe sesa faktet, emrat dhe numrat konkretë. Logjika e tyre është e tipit “po, kemi keqpërdorë, po tjerët edhe ma shumë”.
“Çdo përpjekje me e kthy krimin elektoral në garë krahasimore partiake është ose padituri, ose mbrojtje e hapur e hajnisë. Në të dyja rastet, është pjesë e problemit. Sepse përgjegjësi duhet me dhanë krejt, për secilën votë – dhe në burg duhet me përfundu secili që ka manipulu, pa përjashtim”, përfundoi Cakolli






