Eugen Cakolli nga KDI, duke shpërndarë në Facebookun e tij, vendimin e Komunës së Prishtinës, respektivisht Kryetarit Përparim Rama, për biletat e autobusit urban, të cilat sipas vendimit do të jenë pa pagesë për disa kategori, nga një tetori, ka thënë se po bëhet gjatë fushatës dhe se si i tillë cënon garën.
“Abuzimi me resurset publike për vota është cenim i garës së barabartë zgjedhore, kurdo, kudo dhe nga kushdo që ndodh.” – ka shkruar ndër të tjera Cakolli.
E plotë:
Ndonëse në lexim të parë ky duket vendim i drejtë dhe i favorshëm, fakti që merret në mes të fushatës dhe hyn në fuqi vetëm 12 ditë para zgjedhjeve e bën atë një vendim të pastër elektoral.
Për më keq, ky është shembull tipik i shfrytëzimit të resurseve publike për përfitim elektoral – praktikë për të cilën pikërisht partia që sot udhëheq kryeqytetin akuzonte partinë në pushtet qendror gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Abuzimi me resurset publike për vota është cenim i garës së barabartë zgjedhore, kurdo, kudo dhe nga kushdo që ndodh.