Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka shkruar se nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 mars, vendi shkon në zgjedhje.
Sipas tij, nëse afatet varen nga vullneti, ato humbin çdo kuptim.
Postimi:
Kur po hyjmë në katër ditët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, duket se, fatkeqësisht, edhe kësaj radhe “gara” po zhvillohet rreth asaj se kujt do t’i mbetet faji nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, në vend që angazhimi të përqendrohet në arritjen e një zgjidhje që i jep vendit stabilitet. Madje, kanë filluar të përmenden ide që krizat politike, të prodhuara artificialisht, t’i delegohen Gjykatës Kushtetuese, sikur ajo të ishte mekanizëm për zgjidhje politike e jo garantuese e rendit kushtetues.
Në fakt, vet mënyra si Kushtetuta e ka ndërtuar zgjedhjen e Presidentit tregon se ky proces është menduar përtej votimeve të zakonshme të shumicës parlamentare. Kërkesa për kuorumin dhe votat e dy të tretave të deputetëve në raundet e para është një mekanizëm i qartë “anti-shumicë”, i projektuar për të prodhuar një President me mbështetje më të gjerë sesa shumica qeverisëse e momentit.
Procedura me së paku dy kandidatë dhe kërkesa për 30 nënshkrime për nominim e strukturojnë garën në mënyrë që të jetë nominalisht demokratike, ndërsa mbështetja politike të ndërtohet para votimit; me raundin e tretë që siguron përfundimin e procesit dhe vazhdimësinë institucionale. Ky rregull procedural synon të garantojë që presidenca nuk kthehet në një vazhdim të përplasjes së zakonshme politike.
Kalimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit – që është 5 e jo 4 marsi – e çon vendin në situatë të mospërmbushjes së një obligimi kushtetues. Një gjendje e tillë praktikisht mund të adresohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme. Sepse, nëse afatet varen nga vullneti për të nisur procedurat, atëherë ato humbin çdo kuptim. Kjo, sa për analogji, do të ishte njësoj sikur afati për konstituimin e Kuvendit të mos fillonte pa u thirrur mbledhja konstituive.
Mbi të gjitha, normat kushtetuese nuk mund të lexohen të izoluara dhe vetëm në mënyrë literale, sepse asnjë kushtetutë nuk mund të parashohë çdo situatë politike. Aq më pak që dështimi eventual i këtij procesi nuk do të jetë rezultat i ndonjë paqartësie kushtetuese, por i vullnetit politik. Apo, më saktë, i mungesës së tij për të gjetur zgjidhje






