-4.8 C
New York
Thursday, January 29, 2026

Buy now

Cakolli i reagon Dimal Bashës: Fjalën e fundit për interpretimin e Kushtetutës e ka Gjykata Kushtetuese, jo kryetari i Kuvendit

- Advertisement -

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq, nga legjislatura e nëntë ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Për këtë çështje ka reaguar Eugen Cakolli nga KDI, i cili ka thënë se aktgjykimi rikonfirmon se kush e propozon përfaqësuesin e komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit dhe deri ku shtrihet vullneti i shumicës shqiptare në zgjedhjen e tij.

Ndaj këtij aktgjykimi, më parë ka reaguar Dimal Basha që udhëheqi procedurën si kryetar i Kuvendit, sipas Bashës procedura e zgjedhjes së Rashiq nënkryetar ishte kushtetuese. Kështu ai e hodhi poshtë verdiktim e Gjykatës Kushtetuese

Për Cakollin ky reagim i Bashës është problematik, pasi shton se ai e barazon moszgjedhjen me mospropozimin dhe, mbi këtë bazë, e arsyeton kalimin në short.

Postimi i plotë i Cakollit:

Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin nga komuniteti serb nuk solli diçka të re, por e thelloi dhe e qartësoi logjikën e vendimit paraprak. Aktgjykimi rikonfirmon se kush e propozon përfaqësuesin e komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit dhe deri ku shtrihet vullneti i shumicës shqiptare në zgjedhjen e tij.

Në këtë kontekst, konsideroj që reagimi i Kryetarit të Kuvendit është problematik sepse e barazon moszgjedhjen me mospropozimin dhe, mbi këtë bazë, e arsyeton kalimin në short. Gjykata ka thënë të kundërtën. Deputetët serbë nuk refuzuan të propozojnë. Ata i shfrytëzuan të gjitha të drejtat e tyre duke propozuar nëntë kandidatë. Fakti që këta kandidatë nuk i morën votat e shumicës parlamentare nuk e shndërron këtë në bllokadë nga komuniteti dhe nuk e aktivizon automatikisht mekanizmin e imponimit.

Edhe më shqetësuese është përpjekja e Kryetarit për t’u pozicionuar si interpretues përfundimtar i normave, duke u thirrur në rolin e tij si interpretues i Rregullores gjatë seancës. Ky rol është instrument për menaxhimin e procedurës në sallë, e kurrsesi imunitet nga kontrolli kushtetues. Nëse kjo logjikë do të pranohej, çdo shkelje e neneve të Kushtetutës që lidhen me Kuvendin do të mund të justifikohej thjesht si “interpretim i rregullores”, duke e zbrazur nga përmbajtja vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese.

E tërë kjo situatë nuk ka të bëjë me një apo dy nene, por mbi të gjitha me parimin se kush e ka fjalën e fundit në interpretimin kushtetues. Dhe ajo fjalë nuk është e Kryetarit të Kuvendit apo cilitdo bartës tjetër institucional, por ekskluzivisht e Gjykatës Kushtetuese.

Nëse secili funksionar fillon ta lexojë Kushtetutën sipas vetes dhe ta shpallë veten më kompetent se Gjykata, atëherë rendi kushtetues zëvendësohet me interpretime sipas interesit të momentit.

Të ngjashme

Të fundit