21.3 C
New York
Saturday, August 2, 2025

Buy now

Cakolli: Gara s’është se kush po i formon institucionet, por kujt po i mbetet faji për dështimin e tyre

- Advertisement -

Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se për herë të parë në historinë e Kosovës kemi një situatë ku gara s’është për formimin e institucioneve, por për fajësinë në dështimin

“Problemi më i madh është që, për herë të parë në historinë e Kosovës, e kemi një situatë kur gara nuk është kush po i formon institucionet, por kujt po i mbetet faji në fund për dështimin e formimit të tyre”, tha ai.

Duke iu drejtuar deputetit të LVV-së Nezir Kraki, i cili ishte pjesë e tryezës, Cakolli theksoi se ai është pjesë e përgjegjësisë, pasi i takon subjektit më të madh të dalë nga zgjedhjet e fundit.

Ai vlerësoi se Gjykata Kushtetuese, me aktgjykimin e 26 qershorit, ka ndryshuar qasjen ndaj aktorëve politikë, duke u rikujtuar atyre se kompromisi politik është vlera thelbësore e demokracisë.

“Për herë të parë kemi një Gjykatë Kushtetuese që ua rikujton partive politike, veçanërisht atyre që kanë fituar më së shumti vota, se kompromisi është vlera kryesore e demokracisë. Jo medoemos konsensusi, sepse jo gjithmonë pajtohemi për gjithçka, por kompromisi është nyja kryesore në këtë situatë”, tha ai.

Cakolli theksoi se të gjitha vendimet e Kuvendit, përfshirë ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, varen nga votat. Ai shtoi se ka pasur raste kur, falë kompromisit politik, janë arritur vendime të rëndësishme edhe pa shumicë absolute.

Ai rikujtoi situatën nga viti 2019, kur LVV kishte të drejtën ekskluzive për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por në raundin e dytë, përmes kompromisit politik, u propozua Vjosa Osmani nga radhët e LDK-së.

“Unë nuk e kuptoj se çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë. Mbase ka ndryshuar dëshira, apo mungesa e saj, për të formuar një qeveri me 61-62 vota. Por në parim, ajo që nuk kemi parë gjatë javëve apo muajve të fundit janë përpjekjet e sinqerta për kompromis”, tha Cakolli.

Ai shtoi se, ndonëse ka pasur oferta nga të gjitha anët, në thelb asnjë prej tyre nuk ka qenë e sinqertë.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten organizoi tryezën diskutimi me titull: “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”. Kjo ngjarje u mbështet nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), zyra në Prishtinë.

 

Të ngjashme

Të fundit