1.4 C
New York
Wednesday, February 12, 2025

Buy now

Cakolli, DnV: Zgjedhjet u njollosën nga “terri informativ” për rezultatet, LVV e ka të pamundur t’i fitojë 50 mandate

- Advertisement -

Procesi zgjedhor i 9 shkurtit është njollosur, thotë Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim në një bisedë me Gazetën Express. Lënia e publikut në “një lloj terri informativ për gati 12 orë” pas mbylljes së vendvotimeve të dielën, ai thotë se e ka cenuar seriozisht besimin e votuesve dhe integritetin e zgjedhjeve.

“Unë besoj që, ndonëse nuk jam ithtar i teorive të konspiracionit për manipulime e të tjera, por besoj që integriteti i procesit zgjedhor, e për më keq besimi i publikut në zgjedhje është cenuar seriozisht me situatën e krijuar me mospublikimin e rezultateve preliminare si dhe disa lëshimeve që në dukje janë teknike, por që në esencë, shtimi i 1,000 votave për një subjekt politik është mjaft e madhe. KQZ-ja, besoj që në këtë drejtim, përveç keqmenaxhimit, konsideroj që ka dështuar ta vazhdojë një trend jashtëzakonisht të mirë të organizimit të zgjedhjeve që e kemi pasur përgjatë proceseve të kaluara zgjedhore”, thotë ai.

 

Cakolli pyet se pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka pasur një plan rezervë pas dështimit të sistemit elektronik për publikimin e rezultateve në mënyrë periodike dhe problemeve tjera, si ai me ngjyrën matrikuluese. Këto ishin zgjedhjet e para të rregullta dhe sipas tij është e papranushme që KQZ-ja, megjithëse kishte gjithë kohën e nevojshme për t’u përgatitur për këtë ditë, ka dështuar në momentin kryesor.

Ai nuk dëshiron t’i komentojë deklarimet e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili të dielën në mbrëmje u shpreh i painformuar për rezultatin e zgjedhjeve kur doli në një konferencë për media për të treguar për dështimin e sistemit elektronik. Eugen Cakolli thotë se ka pritur një sqarim “më përmbajtësor”. Përkundrazi, sipas tij, pikëpyetjet sa i përket këtij procesi, vetëm sa u shtuan.

Eugen Cakolli nuk pret që Lëvizja Vetëvendosje t’i sigurojë 50 apo 51 mandate në Kuvend pasi të jenë numëruar edhe votat me postë. Për ta arritur atë, ai tha se kësaj partie i duhen “mbi 90% të votave të diasporës”.

Ndonëse KQZ-ja kishte planifikuar që deri në fund të shkurtit t’i kryente të gjitha procedurat deri te certifikimi i rezultateve, ai pret se certifikimi do të bëhet vetëm në mars, nëse nuk do të ketë ndonjë rast për rinumërim apo rivotim.

Me bartjen e votave nëpër qendrat komunale, ai tha se ato praktikisht “janë duke u rinumëruar” plotësisht, ndonëse KQZ-ja e quan këtë “validim të rezultateve”.

Procesi i votimit duket se shkoi pa probleme të theksuara. Ishte më i mirë apo më i keq ky proces krahasuar me të kaluarit?

Eugen Cakolli: Në fakt, ndonëse procesi është vlerësuar përgjithësisht i qetë dhe në përputhje me standardet demokratike, ka pasur një sërë parregullsish të cilat janë më shumë të një natyre të lëshimeve procedurale, por që normalisht janë njollë e keqe për procesin zgjedhor. Ndër to, duhet përmendur çështja e vështirësive të votuesve për të gjetur emrat në listat e votimit për shkak të ndryshimeve që i ka bërë KQZ-ja dhe që është evidentuar në mbi 70% të vendvotimeve nga ana e vëzhguesve tanë. Për më keq, problemet me ngjyrën matrikuluese, fshierja e lehtë të saj nga votuesit nëpër shumë vendvotime që janë raportuar dhe vendosja e gabuar e kabinave, kanë bërë që procesi në fakt të evidentojë këto shkelje. Edhe pse jo të një natyre serioze që do ta komprometonte integritetin e zgjedhjeve, prapë se prapë janë lëshime të cilat është dashur të adresohen nga KQZ-ja shumë më herët, e për disa prej tyre është dashur që të mos shkohet drejt opsioneve të panjohura, le të themi, si ngjyra matrikuluese, pa pasur një plan rezervë për to.

Sa të rrezikshëm e konsideroni cenimin e procesit zgjedhor nga deshtimi i sistemit elektronik të KQZ-së për publikimin e rezultateve në mënyrë periodike?

Eugen Cakolli: Lënia e publikut në një lloj terri informativ për gati 12 orë mbi rezultatet preliminare është problemi më i madh e mbase njolla më e madhe e tërë këtij procesi zgjedhor. Unë besoj që, ndonëse nuk jam ithtar i teorive të konspiracionit për manipulime e të tjera, por besoj që integriteti i procesit zgjedhor, e për më keq besimi i publikut në zgjedhje është cenuar seriozisht me situatën e krijuar me mospublikimin e rezultateve preliminare si dhe disa lëshimeve që në dukje janë teknike, por që në esencë, shtimi i 1,000 votave për një subjekt politik është mjaft e madhe. KQZ-ja, besoj që në këtë drejtim, përveç keqmenaxhimit, konsideroj që ka dështuar ta vazhdojë një trend jashtëzakonisht të mirë të organizimit të zgjedhjeve që e kemi pasur përgjatë proceseve të kaluara zgjedhore.

A ju duket i vërtetë arsyetimi i KQZ-së se patën “probleme teknike” dhe “probleme administrative” me sistemin elektronik fillimisht dhe me vonesën e nisjes së numërimit të votave të kandidatëve?

Eugen Cakolli: Unë nuk po e vë në dyshim vërtetësinë e njoftimeve të KQZ-së, por problemi më i madh nuk është nëse ka qenë problem teknik apo jo, problemi më i madh është që edhe nëse ka qenë problem teknik ose çfarëdo tjetër, pse nuk ka pasur KQZ-ja plan rezervë? Pra, si është e mundur që në vitin 2025, pas 5 palë zgjedhjeve të suksesshme gati radhazi, të vimë në pikën kur jo vetëm që dështon sistemi i raportimit të rezultateve, por duhet që të numërohen manualisht, e sot kur jemi mbi 60 orë që kur është dashur që të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve, ende jemi në situatën kur vetëm 4 nga 34 komunat e kanë filluar dhe janë duke e zhvilluar këtë proces, që është absolutisht e papranueshme duke e ditur që këto kanë qenë zgjedhjet e para të rregullta. Pra, KQZ-ja ka pasur plot 6 muaj kohë për ta administruar një proces siç duhet. Dhe nëse puna katërvjeçare pa proces zgjedhor e përgatitje intensive gjashtëmujore rezultojnë me dështim në momentin kryesor, pra atë të ditës së zgjedhjeve dhe të rezultateve, atëherë kjo është, në vlerësimin tim, e papranueshme.

Si e komentoni deklaratën e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi mbrëmjen e së dieles, kur tha se “nuk e di” rezultatin, pasi sistemi elektronik doli jashtë funksionimit?

Eugen Cakolli: Unë nuk dua të komentojë deklarimet e kryetarit të KQZ-së. Unë besoj që në atë moment ka qenë e rëndësishme që KQZ-ja të dalë para publikut dhe ta sqarojë si çështje, por që kam pritur që sqarimi do të jetë më përmbajtësor, e jo vetëm që të shtojnë edhe më shumë pikëpyetje sa i përket këtij procesi.

Çfarë ndodhi me mospërputhjen e numrit të pjesmarrësve në zgjedhje me numrin e votave të subjekteve politike? Numri i votuesve ishte rreth 800,000, ndërsa mbi 830,000 vota.

Eugen Cakolli: Në fakt, më shumë se mospërputhje, kjo ka qenë mospërditësim i data-bazës. Pra, në rastin e 799 mijë votuesve, aty është përcaktuar qartazi që kemi të bëjmë me 92% të vendvotimeve të procesuara. Pra, kur i shtohen edhe 8% të mbetura, atëherë rezultati pothuajse përputhet plotësisht.

Çfarë e bëri sipas jush më jotransparent këtë proces zgjedhor?

Eugen Cakolli: Unë besoj që qasja e KQZ-së për të mos dhënë informacione të vazhdueshme mbi periudhën paszgjedhore… Ta zëmë, ne edhe sot nuk e dimë zyrtarisht sa është numri i votave me kusht, nuk e dimë se sa është zyrtarisht numri i zarfeve me postë që janë verifikuar dhe sa prej tyre janë të vlefshme. Pra, KQZ-ja thjesht ka qenë shumë më e mbyllur në raport me publikun për ofrimin e informacioneve të cilat jo vetëm do ta kishin sqaruar situatën, por do të kishin kontribuar edhe në rritje të besimit të publikut në vetë procesin zgjedhor.

Ne bazë të analizës së procesit zgjedhor dhe me gjithë problemet e tjera, si prisni se do të ndahen mandatet në Kuvend?

Eugen Cakolli: Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, pra atyre që janë tash për tash, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim masiv, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 47 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 25, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe AAK-ja 8 deputetë, në kuadër të këtyre rezultateve që duhet t’i marrim për bazë.

Sa besoni se mund ta ndryshojnë votat me postë rezultatin aktual dhe mandatet në Kuvend?

Eugen Cakolli: Meqenëse kemi të bëjmë me mbi 80 mijë vota të cilat janë ende në kalkulim, të njëjtat mund të kenë impakt në rezultatin e zgjedhjeve, por impakt ky i cili besoj se do të jetë margjinal, për shkak se, nëse ndiqen trendet e zakonshme, pra, kur Lëvizja Vetëvendosje fiton 56-70% të këtyre votave, maksimumi i mandateve që mund të shkojë, unë po them edhe dy sosh për Lëvizjen Vetëvendosje. Kësaj partie i duhen mbi 90% të votave të diasporës në mënyrë që të sigurojë mandatin e 50-të apo 51-të në këtë rast, gjë që unë besoj që në bazë të të gjitha trendeve dhe praktikave, është praktikisht pothuajse e pamundur.

Nëse këto probleme vijojnë, sa kohe prisni se do të duhet që rezultati i zgjedhjeve të certifikohet?

Eugen Cakolli: Edhe në bazë të vetë planifikimeve të KQZ-së, fundi i këtij muaji ka qenë afati më i largët i mundshëm për t’i kryer, le të themi, proceduarat deri në certifikim të rezultateve, por unë realisht pres që muaji mars, fillimi i muajit apo mesi i muajit mars të jetë periudha kur potencialisht mund të kemi certifikim të rezultateve, pas ankesave dhe duke supozuar që nuk do të ketë ndonjë vendim gjyqësor për, qoftë rinumërim apo rivotim apo çkado tjetër, siç ka qenë rasti në zgjedhjet e kaluara.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, tha sot se ka nisur rinumërimi i të gjitha votave…

Eugen Cakolli: Në fakt, kjo çështje është e rregulluar me aktet nënligjore të KQZ-së, për shkak se, edhe pse qendrat kanë pasur për qëllim kryesor numërimin e votave të kandidatëve, KQZ-ja, duke e arsyetuar dhe duke e quajtur validim të rezultateve, në fakt është duke bërë rinumërim të plotë të të gjitha vendvotimeve. Pra, të gjitha vendvotimet që janë duke u sjellë nëpër qendra komunale, në këtë rast në 4 që janë zhvilluar, janë duke u rinumëruar mbi bazën e një ndryshimi që është bërë në rregullat zgjedhore.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit