26.7 C
New York
Tuesday, September 30, 2025

Buy now

Cakolli: Diskursi kundër Kushtetueses po vjen nga të njëjtët që ia mundësuan Listës Serbe “fitoren” në Gjykatë

- Advertisement -

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) ka folur rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me ankesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Cakolli ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk i dha komuniteteve asnjë ‘veto’ shtesë, por se thjeshtë rikonfirmoi standardin kushtetues, që Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të gjithë nënkryetarët.

Sipas tij, kjo nuk nënkupton të drejtë të ndokujt për bllokadë.

“Përkundrazi, në të njëjtin vendim, Gjykata ua rikujtoi përgjegjësinë të gjitha palëve, përfshirë deputetët nga komuniteti serb, që të veprojnë në interes të Republikës. Pra, e drejta për të propozuar nuk mund të jetë mjet bllokimi apo shantazhi. Në të njëjtën logjikë, edhe nëse nuk do të votohej si nënkryetar ndonjë prej kandidatëve nga partitë shqiptare, Kuvendi do të konsiderohej sërish i pakonstituuar. Prandaj, nuk kemi të bëjmë me “privilegje të serbëve”, por me një standard që vlen për të gjithë – dhe që ka funksionuar pa probleme që nga pavarësia e këndej”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka thënë se ajo çfarë po ndodh tani është sajesë e qartë për të zvarritur formimin e institucioneve.

“Ironia është se e gjithë kjo situatë, bashkë me diskursin e pritshëm kundër Gjykatës Kushtetuese, po vjen nga të njëjtët që ia mundësuan Listës Serbe rastin dhe “fitoren” në Gjykatë – me kalkulimet dhe arrogancën e tyre politike”, ka shkruar tutje ai.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë sot vendim lidhur me ankesën e Listën Serbe, ku ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh.

Të ngjashme

Të fundit