Lajme

Bytyqi për planin evropian: “Merre ose lëre” erdhi nga kokëfortësia e Kurtit

By GAZETA SCANNER 1

November 14, 2023

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, tha se nga “kokëfortësia” e kryeministrit, Albin Kurti, Kosova është e detyruar ta pranojë draft-statutin e Asociacionit, të prezantuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Madje, Bytyqi vlerësoi që AAK nuk ka asnjë përgjegjësi politike për këtë draft-statut, derisa të njëjtin e cilësoi mjaft shqetësues për shtetin.

“Ajo çka na është thënë nga pjesëmarrësit në atë takim,  është mjaft shqetësues ky draft. Në momentin që Gjykata Kushtetuese del me një vendim, Kurti ka përgjegjësi të plotë. Pra, kjo është përgjegjësi kryesore e Kurtit ta zbatojë këtë draft. Kurti na ka sjellë në këtë gjendje, përderisa vihet në diskutim që të pranohet ky draft. Ne si opozitë gjithmonë kemi kërkuar që sa herë ka pasur takime në Bruksel të ketë raportim. Mirëpo, kryeministri asnjëherë nuk e ka ndërmarrë hapin që të na prezantojë diçka, qoftë edhe këtë draft, e së paku liderëve të partive për të mos ardhur deri tek kjo pikë “lëre ose merre”. Kurti me kokëfortësinë e tij na ka sjellë deri në këtë pikë. Ne nuk kemi asnjë përgjegjësi politike si Aleancë për këtë draft statut”, deklaroi Bytyqi në emisionin “Ditari”.

Po ashtu, Bytyqi pretendoi që tanimë Kurti është në dijeni “që në zgjedhjet e ardhshme nuk do të shpallet fitues”.

“Në bazë të draftit i cili është i dëmshëm për ne, Kurti e di që në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë fitues, për këtë arsye po mundohet që zgjedhjet e ardhshme t’i fitojë me këtë kauzë dhe mandej ta zbatojë draftin”, shtoi tutje deputetja e AAK-së në Tëvë1.

Kujtojmë se teksa ka raportuar Kurti në Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin e 26 tetorit në Bruksel, me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ka thënë se ende nuk e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit.

“Draft-statuti i Asociacionit i prezantuar nga emisarët ndërkombëtarë e ndërpret trashëgiminë mos njohëse të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015”, kë thënë Kurti.