Gjiganti kinez i teknologjisë ByteDance po planifikon të lansojë një version të veçantë të aplikacionit të tij TikTok ekskluzivisht për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara.
Pritet të lançohet në vitin 2026, kur TikTok të mbyllet zyrtarisht, transmeton Telegrafi.
Aplikacioni i ri synon të anashkalojë pengesat ligjore që kërcënojnë ta mbyllin aplikacionin në vend.
Versioni i ri i TikTok do të duket pothuajse identik me atë ekzistues, por do të ketë një algoritëm dhe sistem të veçantë përpunimi të të dhënave për të përmbushur kërkesat strikte të privatësisë dhe sigurisë në SHBA.
Ideja është t’u ofrojë përdoruesve një përvojë të njohur përdoruesi, por me një infrastrukturë teknike që nuk ndikohet më drejtpërdrejt nga kompania mëmë kineze.
Edhe pse data e lansimit nuk është specifikuar ende, plani është që aplikacioni i ri të bëhet i disponueshëm në të njëjtën ditë kur versioni i vjetër nuk është më i ligjshëm për t’u shpërndarë.
Përdoruesit që tashmë e kanë instaluar TikTok në telefonat e tyre, do të jenë në gjendje ta përdorin atë deri në mars 2026.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë do të transferohet në versionin e ri, përkatësisht nëse përdoruesit do t’i mbajnë ndjekësit, videot dhe rekomandimet e tyre apo do të duhet të fillojnë nga e para.
Mbetet gjithashtu e dyshimtë nëse ata do të jenë në gjendje të kenë qasje në përmbajtje nga pjesa tjetër e botës, e cila ka qenë një pjesë e rëndësishme e popullaritetit të TikTok deri më tani.
Ky është veprimi i fundit nga ByteDance në një betejë shumëvjeçare me administratën amerikane. Në vitin 2020, presidenti i atëhershëm Donald Trump u përpoq të ndalonte TikTok, duke përmendur arsye sigurie.
Pas kësaj, ndalimi u shty dhe u rishikua vazhdimisht, ndërsa ligjet dhe afatet u bënë gjithnjë e më komplekse.
Në prill 2024, u nënshkrua një ligj sipas të cilit ByteDance duhet t’ia shesë TikTok një kompanie amerikane deri më 19 janar 2025, më së voni.
Megjithatë, kompania nuk ka treguar gatishmëri për ta shitur atë, pavarësisht nga numri i blerësve të interesuar.
Afati aktual që ByteDance duhet të përmbushë është 17 shtatori i këtij viti.
Me këtë veprim, kompania po përpiqet të gjejë një zgjidhje teknike, jo politike, e cila është një çështje nëse do të jetë e pranueshme për autoritetet amerikane.