Gazetari Berat Buzhala, ka dhënë pak detaje nga vizita që ai ia bëri dje në Hagë ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
Buzhala tha se Thaçi ishte shumë mirë me shëndet, teksa tregoi se u pyet edhe për intervistën e ish-presidentit të dhënë në Rubikon në muajin korrik.
“Pak më i thinjur se këtu, ishte shumë mirë. Më pyeti për intervistën, tha ‘si u prit intervista ime te Adriatiku?’”.
“Përveç tjerash, e kanë edhe një dorë të rëndë të Prokurorisë dhe të Tribunalit atje, ia kanë kufizuar qasjen në televizor. E kanë një televizion të Shqipërisë ‘Euronews’ dhe për në Kosovë e kanë RTK-në”, tha Buzhala në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se Thaçi ishte në humor të mirë, ndoshta edhe për faktin se po i shihet fundi procesit.
“Sidoqoftë kaluam mirë shumë dhe ishte jashtëzakonisht pozitiv. Unë e kam takuar çdo 7-8 muaj dhe është hera e parë përkundër krejt herave të tjera që dukej shumë mirë edhe fizikisht”.
“Ato pamjet e fundit që i patëm tek varri i babait, ishte pak i lodhur por tash dukej shumë në formë, tregonte se bën ushtrime të vazhdueshme fizike, e përcjell shtypin ndërkombëtar kryesisht. Edhe ata të tjerët janë mirë”, tha tutje Buzhala, njofton Klankosova.tv.
Buzhala më tej tha se Thaçi është tjetër material, është njeri që nuk thyhet dhe se tregoi se kur hyn në dhomën e vizitave, hyn duke qeshur.
“Hashim Thaçi është tjetër material, është shtof i fortë, nuk është njeri që thyhet. Ai si të hyn, hyn duke qeshur dhe të kap në përqafim”, tha ai.