Berat Buzhala ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku ka ndarë një reflektim të gjatë për një fotografi të ish-presidentit Hashim Thaçi. Ai thotë se gjatë gjithë ditës e ka pasur në mendje atë foto, në të cilën, sipas tij, mund të lexohet historia e një populli dhe e një kontinenti.
“Brenda kësaj fotoje kam lexu gjithçka. Një burrë të qetë dhe të përmbushun. Një burrë që kur ishte djalë, me zgjuarsi dhe guxim, e arriti synimin dhe andrrën qindravjeçare të mbarë popullit shqiptar: çlirimin e vendit përmes luftës dhe diplomacisë,” shkruan Buzhala.
Ai shton se jeta e Thaçit nga viti 1989 deri në 2008 është pasqyrë e jetës së një populli të tërë, dhe se në atë fotografi ai sheh “buzëqeshjen e lehtë të një fitimtari”.
“Prokuroria nuk i ka kërku ato 180 vjet burg për Hashën me shokë, por i ka kërku për ne. Ky e ka jetu jetën e vet. Në këtë foto nuk po shoh as frikë, as pasiguri, as pendim. Po shoh qetësi, pothuajse të frikshme, të përzier me përbuzje – për atë trup gjykues dhe për ne,” ka shkruar ai në fund të postimit, të cilin e ka mbyllur me fjalinë “Todo Pasa Jefe.”






