Gazetari Berat Buzhala ka reaguar ashpër pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pranoi planin evropian, pjesë e të cilit është edhe zbatimi i marrëveshjeve të kaluara, ku përfshihet Asociacioni. Për këtë temë Kurti dhe partia të cilën e udhëheqë kanë qenë kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj marrëveshje që e quanin ‘Zajednica’.
Pas pranimit të këtij plani, Buzhala thotë se Kurti është pajtuar për t’i kaluar ato që kanë ndodhur në Kosovë, krimet e kryera nga serbët.
“Le ta harrojme per nje moment themelimin e asociacionit dhe poziten e forte te kishes ortodokse serbe, qe gjithashtu gjendet ne marreveshje. Ketu po flasim qe Kurti eshte pajtu per amnezi. Eshte pajtu me harru dhe per me kapercy ate cka ka ndodhe.
Ai eshte pajtu me e harru edhe cka i ka ndodhe Sarandes, edhe cka i ka ndodhe Vasfijes. Eshte pajtu me e kapercy cdo dhunim dhe vrasje qe ka ndodhe ne Kosove. Eshte pajtu me e kapercy edhe masakren e jashareve, edhe masakren e Recakut.
Nese Asociacioni eshte paragrafi i fundit i marreveshjes, kapercimi i trashegimise se te kaluares eshte neni paragrafi i pare i saj. Kjo marreveshje hapet e perfundon keq.”, ka shkruar Buzhala.
Sipas nenit 10 të këtij plani, palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.
T”ë dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.”
Zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.
Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas bllokut evropian, do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
BE-ja pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.
“Jam i sigurt se Mirosllav Lajçak do të vazhdojë diplomacinë fluturuese dhe para takimit të Këshillit Evropian – në mes të marsit dhe në fund të marsit – ne të mund të finalizojmë të gjithë punën”, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit Kurti-Vuçiq.
Ai tha se Kurti dhe Vuçiq e pranuan propozimin evropian dhe u pajtuan se nuk ka nevojë për bisedime të mëtejme.
“Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes”, tha Borrell dhe shtoi se “negociata të mëtejme ende duhet të bëhen për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit e dispozitave të marrëveshjes”.
Përderisa palët u pajtuan për propozimin, Serbia tha se insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje (më 2013 dhe 2015), deri më tani është kundërshtuar nga Kurti, i cili druan se mund t’i ngjasojë Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, nëse ka kompetenca ekzekutive, ashtu siç kërkon Serbia.
Megjithatë, në propozim thuhet se palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut, që janë arritur më parë.