Janë stoqet me ushqim që po përgatiten për t’iu shpërndarë kategorive që furnizohen me ushqim nga Kuzhina Qendrore e kryeqytetit.
Megjithatë, ky shërbim rrezikohet të ndërpritet e kjo si shkak i problemeve me buxhetin e kryeqytetit.
Borxhet kanë arritur milionat e Kuzhina, nuk ka ekzekutuar as pagat e muajit tetor për punëtorët e saj e madje, nuk ka kryer as pagesat ndaj furnizueseve të ushqimeve bazike.
“Komuna na ka borxh 1.5 milionë euro për shërbimet ndërkohë ne iu kemi furnitorëve tonë diku 300 mijë euro borxh tu mos e llogarit edhe dy paga minus stafit të kuzhinës, paga e nëntorit ish dasht me u ekzekutu dhe kontributet. I falënderoj furnitorët se kanë pas durim dhe mirëkuptim ndaj neve për pagesat, jo që s’kemi dashtë po s’është pagu borxhi dhe s’kemi qenë në situatën ku kemi mujt me pagu. Ç’ka mund të ndodhë sot e tutje është një çështje që mbetet më shumë në vullnetin e furnitorëve sesa në vullnetin tonë”, ka thënë Asdren Osaj, drejtor i Kuzhinës Qendrore.
Osaj thotë se janë në përpjekje të krijimit të stoqeve rezervë por që të njëjtat, nuk do të ofronin zgjidhje të qëndrueshme.
Kuzhina Qendrore kujdeset për shujtën ditore të mbi 6500 nxënësve e veçanërisht, për shkollat me mësim tërëditor.
Por në rast ndërprerjeje, mësimi në këto shkolla do të ndërpritet.
“Kuzhina Qendrore tek ne ushqen 370 nxënës. Është dëm i madh që do t’i shkaktohet kësaj shkolle, do duhet të ulemi të flasim me DKA dhe Kryetarin. Sigurisht nuk ka për të mundur të vazhdoj mësimi gjithëditur”, ka thënë Besart Ismajli – Drejtor i “Shkolla e Gjelbër”, ka thënë, Besart Ismajli, drejtor i “Shkolla e Gjelbër”.
Të shqetësuar e të zhgënjyer me këtë shprehen Këshilli i Prindërve në Prishtinë, të cilët tashmë janë paralajmëruar.
“Drejtori na ka lajmëru që Kuzhina i ka paralajmëru jo vetëm shkollat por edhe shërbimet tjera që ka mundësi të ndërpriten si shkak i furnizimit. Jemi të shqetësuar shumë, po shpresoj që ka me u bo zgjidhje. Gjithçka ka dalë prej kontrollit. Jemi jo pak të shqetësun po tepër si prind, edhe me transport. Kujt s’po i intereson, as Kryeministër as Ministër, këta s’është dasht as me flejt”, ka thënë Nexhmi Hoxha, kryetar i Këshillit të Prindërve në Prishtinë.
Përpos nxënëseve në shkolla dhe kopshte, Kuzhina Qendrore përkujdeset për shujtat e familjeve me gjendje të rëndë sociale, shtëpinë e pleqve dhe zjarrfikësit.






