Home Ballina Bushati: Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më çështje politike, por çështje serioze e sigurisë

Bushati: Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më çështje politike, por çështje serioze e sigurisë

0
Bushati: Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më çështje politike, por çështje serioze e sigurisë
Ditmir Bushati, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ka thënë se deputetët shqiptarë duhet të miratojnë një rezolutë për Kosovën pas zhvillimeve të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Kosova nuk është temë e politikës së jashtme dhe nuk mund të trajtohet as si temë e debatit të brendshëm politik.

“13 vite më pas, sherret banale, gara me projekt-rezoluta dhe kërkesa për interpelancë, përçojnë mesazhin e papranueshëm se politika e vuvuzelave ka parakaluar çështjen kombëtare. Kjo nuk është në dinjitetin e politikës dhe as në nivelin e pritshmërisë së shoqërisë shqiptare. Kosova nuk është temë e politikës së jashtme dhe nuk mund të trajtohet as si temë e debatit të brendshëm politik. Kosova meriton të ketë vendin e saj të paprekshëm, pavarësisht rrethanave që prodhon politika e ditës. Nuk duhet të lejojmë që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës”.

“Në rrethanat e tanishme politike dhe të sigurisë në Evropë sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Kosovës është një këmbanë e fortë alarmi. Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Evropës. Zgjedhja nuk është më mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës. Kjo e fundit ka të ngjarë të ndodhë nëse tolerohet roli i Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal”, ka thënë Bushati.

Exit mobile version