Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Kosova nuk është temë e politikës së jashtme dhe nuk mund të trajtohet as si temë e debatit të brendshëm politik.
“13 vite më pas, sherret banale, gara me projekt-rezoluta dhe kërkesa për interpelancë, përçojnë mesazhin e papranueshëm se politika e vuvuzelave ka parakaluar çështjen kombëtare. Kjo nuk është në dinjitetin e politikës dhe as në nivelin e pritshmërisë së shoqërisë shqiptare. Kosova nuk është temë e politikës së jashtme dhe nuk mund të trajtohet as si temë e debatit të brendshëm politik. Kosova meriton të ketë vendin e saj të paprekshëm, pavarësisht rrethanave që prodhon politika e ditës. Nuk duhet të lejojmë që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës”.
“Në rrethanat e tanishme politike dhe të sigurisë në Evropë sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Kosovës është një këmbanë e fortë alarmi. Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Evropës. Zgjedhja nuk është më mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës. Kjo e fundit ka të ngjarë të ndodhë nëse tolerohet roli i Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal”, ka thënë Bushati.