Vetëm disa ditë pasi që anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor janë pajisur me automjete të reja, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi – nuk kishte dëshirë të lëvizte me automjet që identifikohej lehtësisht nga qytetarët me anë të targës zyrtare “5Z”.

Transparenca e premtuar me të madhe nga Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, është shqelmuar nga zyrtarët e kësaj partie, sapo filluan të shkelin pragun e institucioneve shtetërore.

Njejtë ka vepruar në këtë rast edhe bashkëshorti i kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Krasniqi, brenda pak ditësh ka hequr targat zyrtare të makinës zyrtare të KQZ-së dhe i ka vendosur targa civile, duke e kthyer makinën zyrtare në një mjet të zakonshëm, si të çdo qytetari tjetër, dhe që nuk bie në sy, transmeton paparaci.

Nga fotot që ka siguruar mediumI ynë shihet automjeti zyrtar që shfrytëzohet nga Krasniqi. Automjeti është parkuar në zonën e parkingut zyrtar të KQZ-së, afër këtij institucioni.

Ky veprim i Krasniqit nuk është i zakonshëm dhe ngre pyetje të forta mbi motivet e fshehjes së identifikimit zyrtar.

Automjetet zyrtare në Kosovë identifikohen qartë përmes targave specifike që tregojnë se janë pronë të institucioneve publike. Ndërrimi i tyre me targa civile që nuk tregojnë lidhje me ndonjë institucion shtetëror, është tentativë për t’ju shmangur identifikimit dhe monitorimit publik, duke i dhënë veturës zyrtare një pamje të automjetit të thjeshtë qytetar.

Një situatë e tillë krijon një precedent shqetësues në menaxhimin e burimeve dhe përgjegjësive publike.

Mediat tjera kanë raportuar se gjatë Qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje qindra vetura zyrtare janë pajisur me targa civile, kryesisht për shkak të tendencës së vazhdueshme të zyrtarëve shtetëror që t’i përdorin veturat e tilla jashtë orarit të punës, por edhe gjatë vikendeve.

Bazuar në dokumentet e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) nga 277 vetura zyrtare që kanë targa të dyfishta, mbi 180 janë në zyrën e kryeministrit dhe Ministrive të ndryshme të Qeverisë së Kosovës. Të dhënat për “fshehjen” e veturave zyrtare nga qytetarët i takojnë muajit tetor të vitit 2024.

Sipas të dhënave të asaj kohe të zbuluara nga mediet, KQZ-ja i kishte vetëm tri vetura me targa civile.