Adoleshenti amerikan, Ethan Crumbley, u dënua të premten me burgim të përjetshëm pa të drejtën për lehtësimin e dënimit për vrasjen e katër shokëve të klasës dhe plagosjen e shtatë të tjerëve në një shkollë të mesme në Michigan në vitin 2021.
Gjatë seancës për shqiptimin e dënimit, i riu tha se ai është “person vërtet i keq”. “Unë jam person vërtet i keq. Kam bërë gjëra të tmerrshme që askush nuk duhet t’i bëjë ndonjëherë”- deklaroi ai në gjykatë, raporton televizioni CNN.
I dënuari shtoi se askush nuk do të mund ta ndalte sulmin e tij, sepse asnjë person nuk ishte i informuar për planin që e kishte.
“Ata nuk e dinin dhe unë nuk u tregova se çfarë planifikoja të bëja, prandaj ata nuk kanë faj për atë që unë e kam bërë”- tha adoleshenti, duke i përmendur specifikisht prindërit e vet dhe shkollën.
“Ne të gjithë jemi sot këtu për shkak timin, për atë që e kam bërë”- shtoi ai, duke premtuar para shqiptimit të dënimit se cilado masë që do t’i shqiptohej, ai “planifikon që të jetë më i mirë”.
“Mua vërtet më vjen keq për atë që e kam bërë, për atë që e kam marrë nga ta. Nuk mund ta kthej, por mund të përpiqem për më të mirën time në të ardhmen për të ndihmuar njerëz të tjerë dhe kjo është ajo që do ta bëj”- tha më tej Crumbley.
Gjykatësi i rastit, Kwame Rowe, tha se shpreson që përmes shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm për sulmuesin, familjet e viktimave do të mund ta mbyllin këtë kapitull të jetës së tyre.
“E di se çfarëdo dënimi që gjykata e vendos nuk do t’i kthejë të dashurit tuaj ose nuk do ta shërojë ankthin mendor ose plagët fizike gjatë tërë jetës që disa nga ju i keni, por shpresoj se ky dënim ju lejon ju që të mbyllni një kapitull në jetën tuaj”- tha ai.
Crumbley u bë i mituri i parë që u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtën e lehtësimit të dënimit në ShBA që nga viti 2012, kur ishte marrë një vendim i Gjykatës Supreme.