Duke komentuar përgjimet e fundit të publikuara rreth Ministrisë së Tregtisë, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se ministrja e këtij dikasteri, Rozeta Hajdari është dashur të jap dorëheqje.
Sipas saj, kjo është më e pakta që mund ta bëjë Hajdari, pasi siç thotë ajo, ministrja ka edhe dy skandale të tjera të mëhershme.
“Duhet Prokuroria të merret me këtë çështje, e para. E dyta dorëheqja është më e pakta. Hajdari është dashtë me dhënë dorëheqje edhe në kohën kur e ka godit atë fëmijën me veturë, edhe që është deklaru që fëmija i ka rënë mbi veturë se kjo nuk e ka godit, dhe që nuk e ka deklaru pasurinë dhe ka pas dy skandale të më hershme që Hajdari është dashtë me dhënë dorëheqje. E tani me këtë të fundit, unë nuk e di me çfarë morali rrijnë dhe dalin para qytetarëve dhe thjesht mendon se dikush i beson”, deklaroi ajo në “Ditari” në Tëvë 1.
Bunjaku-Rexhepi theksoi se po habitet me këtë “keqqeverisje” dhe po mendon se “ku është qëllimi i Kurtit që çdo mëngjes krijon skandale apo krijon kriza”.
Deputetja e LDK-së shtoi se Qeveria Kurti është Qeveria e cila më së shumti e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Në disa audio-incizime të publikuara nga gazeta “Nacionale” ditë më parë, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bisedojnë rreth nënshkrimit të një kontrate për blerjen e grurit vitin e kaluar. Sipas bisedës, kuptohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Vlera e grurit që mungonte sipas bisedave, del të ishte rreth 6 milionë euro.
Teksa ka pasur raportuar edhe për vajin për Rezerva Shtetërore, që ishte blerë nga një kompani polake, e i cili dyshohet që nuk ka ardhur asnjëherë në Kosovë.