Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dje është vrarë nga një grup terrorist serb derisa po kryente detyrën e tij për mbrojtjen e integritetit territorial dhe rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.
Profesori universitar, Blerim Latifi, ka shkruar sot për brezat e më hershëm të familjes Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.
Latifi ka thënë se pas shuarjes së kryengritjes së Shaban Polluzhës, dhjetëra çeta kanë dalë nga formacioni i tij. Një prej çetave më aktive ka qenë edhe ajo e Bunjakëve të Samadrexhës, të cilët Latifi thotë se për dy vite rresh kanë luftuar njësitet te OZNA-s, nga viti 1945 deri ne vitin 1947.
Profesori Latifi ka thënë se trungut familjarë të prijësve të kësaj çete, Osman e Shaban Bunjaku, iu përket edhe polici Afrim Bunjaku i cili u vra në krye të detyrës.
“E kush nuk i njeh Bunjakët e Samadrexhës së Vushtrrisë! Pas shuarjes së Kryengritjes së Shaban Polluzhës, dhjetëra çeta do të dilnin nga formacioni i tij. Ato do të vazhdonin për disa vite rezistencën e armatosur kundër regjimit jugosllav. Mes tyre çeta më aktive do të tregohej ajo e Bunjakëve të Samadrexhës. Për dy vite rresht, nga viti 1945- 1947, ajo do të konfrontohej në dhjetëra raste me njësitet e OZNA-s, deri në “Betejën Fatale të Bunkerëve” në Lupç të Llapit, në dimrin e egër të vitit 1947. Trungut familjar të prijësve të kësaj çete, i përket edhe dëshmori ma i ri i Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Latifi.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=997501228061516&id=100034049441735&mibextid=Nif5oz