Viti 2025 ka shënuar një rikthim drastik të mallrave me origjinë serbe në tregun e Kosovës, duke përmbysur plotësisht trendin rënës të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare të pDoganës së Kosovës për periudhën janar deri në nëntor tregojnë se vlera e mallrave të importuara nga Serbia ka kapur shifrën e 213.1 milionë eurove. Kjo përbën kapërcim statistikor prej hiç më pak se 94 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur shkëmbimet tregtare ishin ndalur në nivelin e 109.8 milionë eurove.
Dinamika e këtij viti ka qenë aq intensive saqë volumi i importuar vetëm në njëmbëdhjetë muaj ka tejkaluar tashmë totalin e plotë të dy viteve paraardhëse.
Edhe nëse e krahasojmë me vitin 2023, i cili ishte vit me import relativisht të lartë prej 188.5 milionë eurosh për të njëjtën periudhë, viti aktual shënon një rritje të ndjeshme prej 13 për qind. Statistikat tregojnë se mesatarisht gjatë vitit 2025, Kosova ka importuar rreth 19.4 milionë euro mallra serbe çdo muaj, gati dyfishi i mesatares mujore të vitit të shkuar.
| Periudha | Vlera (Milionë €) | Pesha (Mijë Ton) |
|---|---|---|
| 2025 (Jan–Nën) | 213,1 | 459,8 |
| 2024 (Jan–Nën) | 109,8 | 279,0 |
| 2023 (Jan–Nën) | 188,5 | 392,7 |
| 2024 (Viti i plotë) | 129,5 | 313,0 |
| 2023 (Viti i plotë) | 198,2 | 417,9 |
Çka blejmë?
Struktura e produkteve që dominojnë këtë tregti tregon një varësi të përzier mes lëndëve të para për industri dhe produkteve ushqimore bazë. Në krye të listës për vitin 2025 qëndrojnë kontejnerët dhe ambalazhet prej alumini, të cilat kapin vlerën e 13.9 milionë eurove. Menjëherë pas tyre vjen misri me 12.5 milionë euro dhe gruri me 10.9 milionë euro.
Lista e mallrave më të kërkuara plotësohet nga ushqimet për kafshë me rreth 8.2 milionë euro dhe vaji ushqimor i lulediellit me 5.3 milionë euro. Nuk mungojnë as materialet e ndërtimit apo produktet kimike, ku spikasin preparatet larëse dhe pllakat e çatisë, së bashku me një import të konsiderueshëm energjie elektrike prej 3.2 milionë eurosh.
| Produkti | Vlera (Milionë €) | Pjesëmarrja |
|---|---|---|
| Konteinere alumini (fuçitë, bidonët) | 13,9 | 6,54% |
| Misër | 12,5 | 5,87% |
| Dema, mezate dhe qe (>300kg) | 11,3 | 5,30% |
| Grurë (jo durum) | 10,9 | 5,09% |
| Ushqime të tjera për kafshë | 8,2 | 3,85% |
| Pije freskuese | 5,6 | 2,63% |
| Vaj ushqimor luledielli (i papërpunuar) | 5,3 | 2,50% |
| Preparate me veprim sipërfaqësor | 4,8 | 2,24% |
| Pllaka çatie | 4,5 | 2,13% |
| Të tjera | 3,9 | 1,84% |
Të dhënat zyrtare të importit për periudhën janar–nëntor tregojnë se në vend kanë hyrë mallra me vlerë totale 6,37 miliardë euro, që përkthehet në një rritje 11,71 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Gjeografia e mallrave që hyjnë në Kosovë mbetet e përqendruar në tre fuqi të mëdha, të cilat së bashku përbëjnë mbi 40 për qind të tregut.
Pavarësisht se Gjermania mbetet partneri kryesor, Kina ka shënuar shtimin më agresiv gjatë vitit 2025, duke rritur eksportet drejt Kosovës me 152.8 milionë më shumë se vitin e kaluar. Një rikthim masiv ka bërë edhe Serbia, e cila renditet e dyta për nga rritja vjetore në vlerë absolute (+103.3 milionë), e ndjekur nga India dhe Maqedonia e Veriut. /Nacionale/






